E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prezanton skemën e kompensimit të çmimit të kartave

500 mijë persona do të blejnë letërnjoftimin me 200 lekë
Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë prezantimit të skemës së kompensimit të çmimit për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime, ka shfaqur edhe sanksionet për shtresat përfituese. Sipas qeverisë skema e rimbursimit për letërnjoftimet elektronike, shuma e të cilave do të mbulohet e tëra nga fondet e kontigjencës, që janë parashikuar, merr në mbrojtje rreth 500 mijë persona. Pjesë e këtij kompensimi janë personat me ndihmë sociale dhe ekonomike, pensionistët e fshatit dhe ata që marrin pensione minimale në qytet, si edhe studentët. Të gjitha këto kategori do të blejnë letërnjoftimin me 200 lekë deri më 15 qershor, nga ana tjetër nëse nuk kryejnë aplikim brenda kësaj date, atëherë për çdo person përfitues do të zbatohet masat sanksionuese. Ku, pensionistët nuk do të mund të marrin pensionin e muajt të ardhshëm dhe studentët nuk do të futen në provim. Sanksionet do të jenë shumë të qarta nëse paratë tërhiqen dhe karta nuk merret. Shuma do të mbahet nga pensioni i ardhshëm. Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do tu jepet pensioni tjetër, ka theksuar kryeministri Berisha. Për personat me ndihmë sociale dhe ekonomike, kuponët do ti blejë të gjitha komuna ose bashkia dhe pas paraqitjes së faturave kësaj kategori do ti mbahet 200 lekë. Kryetarët e komunave detyrimisht duhet të blejnë kuponët për të gjithë qytetarët në ndihmë ekonomike dhe sociale. Qeveria do të shtojë në ndihmën ekonomike të muajit që vjen, në përputhje me faturat që do të sjellin, të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe në ndihmën mujore ekonomike, atyre që kanë detyrimin për të paguar  do tu mbahen 200 lekë për çdo person në ndihmë ekonomike në familje. Nëse një familje ka 5 votues, në ndihmën ekonomike do të derdhen 5 mijë lekë dhe ajo do të paguajë gjithsej 1 mijë lekë për kuponët, ka sqaruar kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së radhës. Ndërsa për studentët kuponët do ti blejnë fakultetet dhe me marrjen e kuponit do të japin edhe këta 200 lekë. Sanksionet për studentët lidhen me provimet, pasi nuk do të hyjnë në to, pa paguar për kartat, pasi sipas kreut të qeverisë Berisha, ata duhet të paraqesin letërnjoftimin për të hyrë në provim. Përsa i përket pensionistëve të fshatit dhe ata me pension minimal në qytet, më datën 1 maj së bashku me pensionin e parë të këtij muaji do të marrin dhe 1 mijë lekë plus, dhe do të paguajnë vetëm 200 lekë për letërnjoftimin, duke e marrë atë me 1/6 e çmimit të saj. Por, nëse nuk aplikojnë deri më datën 15 qershor, atëherë për ta sanksioni do të jetë i rëndë. Pasi paraqiti në detaje masat për pajisjen e me letërnjoftim të disa kategorive, kryeministri Berisha, komentoi edhe kërkesën e opozitës për pajisjen e qytetarëve me dokumente identiteti. Më vjen mirë që opozita e gjen të plotësuar këtë kërkesë të saj. Pavarësisht deklaratave politike, të cilat në vend që të përshëndesin këtë vendim që e kërkonin, tani e qortojnë. Unë kam kënaqësi që plotësohet edhe një kërkesë e opozitës, theksoi Berisha. Sipas tij, nëse nuk do të ishin votimet, qeveria nuk do të subvenciononte asnjë qindarkë, pasi çmimi është shumë i ulët, duke veçuar këtu faktin se kushdo duhet të ndjehet i detyruar për të pasur dokumentin që fakton se cili është ai. Edhe pse këto masa kanë një kosto tepër të lartë krahasuar me zgjedhjet e tjera, kreu i ekzekutivit ka theksuar se ia vlejnë plotësisht. Ne nuk duhet të kemi asnjë lloj hezitimi dhe keqardhjeje, sepse ky test është një provë e qytetarëve shqiptarë, e forcave politike shqiptare, e qeverisë, në radhë të parë, ndaj vetes, pasi nuk ka pse të kemi dallime nga të tjerët në momentin më themelor të demokracisë, që janë zgjedhjet. Ndaj kjo shumë do të mbulohet e tëra nga fondet e kontigjencës, që janë parashikuar, ka bërë të ditur Berisha. Duke konsideruar detyrë të rëndësishme shoqërore, pajisjen me letërnjoftim, kreu i ekzekutivit veçoi se dokumenti i identitetit është i detyrueshëm në qarkullimin e qytetarëve në të katër anët e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›