E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bojkoton mbledhjen në Komisionin e Ligjeve, mban pezull miratimin e draftit për Gjykatën Administrative

Konsensusi mes maxhorancës  dhe opozitës për projektligjin e Gjykatës Administrative ishte thjesht formal. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Ligjeve asnjë prej anëtarëve të majtë nuk  ishte i pranishëm. Shqyrtimi i draftit u pezullua për mungesë kuorumi, ndonëse ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, hartuesi i ligjit 7 muaj më parë, ripërsëriti vullnetin për të pranuar të gjithë amendimet e socialistëve.
Projektligji në fjalë, i fundit i paketës për drejtësinë, miratohet me 3/5 e votave në kuvend, ndërkohë që palët vazhdojnë të përplasen për nenin 4 që ka të bëjë me seksionet dhe drejtimin e gjykatave administrative në rrethe. Ndërkohë komisioni i ligjeve miratoi kandidaturën e Mirela Fanës si anëtare të gjykatës së lartë dhe ndryshimin e emrit të fshatit Liqenas të Korçës në Pustrik. Ky ndryshim është propozim i deputetit të PD-së, Edmond Spaho, aktualisht anëtar i  komisionit të Ekonomisë në parlament. Spaho, në cilësinë e deputetit të kësaj zone, sjell në parlament këtë nismë ligjore, pas një peticioni të bërë nga ky minoritet maqedonasish, i cili kërkon ta quajë vendbanimin e tij me emrin e mëparshëm. Sipas relacionit të p/ligjit, "një nismë e tillë vjen edhe si një detyrim i shtetit shqiptar për të respektuar të drejtat e pakicave kombëtare në vendin tonë". Fshati Liqenas shtrihet buzë liqenit të Prespës së Vogël, në qarkun e Korçës, dhe është qendra e komunës me 3500 banorë, me popullsi maqedonase dhe që mban të njëjtin emër. Sipas relacionit, ndryshimi i emrit të fshatit është bërë në vitin 1970, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe. Në kuadër të luftës kundër ndikimeve të huaja, pushteti i atëhershëm vendosi që ta ndryshojë emrin nga Pustec, në Liqenas. Ndërkohë që, me ardhjen e pluralizmit dhe me rikthimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të minoriteteve, popullsia e kësaj zone vazhdimisht ka bërë përpjekje për të kthyer toponimet autentike të fshatrave, midis të cilave edhe fshatin më kryesor të kësaj zone, Pustec. Për këtë, banorët kanë nënshkruar një peticion, i cili është nënshkruar edhe nga Këshilli i Komunës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›