E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Kuçovë: Zhdukja e varfërisë motoja jonë e të ardhmes

Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli gjatë ndalesës së saj në qytetin e Kuçovës është takuar me gratë dhe vajzat e këtij qyteti. Në fjalën e saj kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka deklaruar se Shqipëria me të vërtetë është duke ndryshuar pasi ajo tashmë nuk është më vendi i parë për krimin dhe korrupsionin. Topalli ka premtuar se do të vazhdojë të jetë avokatja e tyre. Unë do të jem avokatja juaj, avokatja e çdo gruaje, nëne dhe vajze, zëri juaj duke iu garantuar mbështetje sepse vizioni im i të ardhmes është zhdukja e varfërisë, iu drejtua Topalli grave dhe vajzave. Ndër të tjera gjatë fjalës së saj ajo ka deklaruar se qeverisja e PD do të vazhdojë të ketë në vëmendje gratë duke i përfshirë dhe më shumë në të ardhmen në vendimmarrje. Duke vlerësuar pjesëmarrjen e grave në këtë takim, ajo ka veçuar se kjo pjesëmarrje tregon se ne mirëkuptimin mes njëra-tjetrës. Gjithashtu, kryetarja e kuvendit nuk ka harruar të përmend edhe arritjet e qeverisë Berisha, e cila falë vendosmërisë ka fituar dhe një buxhet shtesë çdo vit si dhe ka bërë premtimet për të ardhmen. Gjatë qeverisjes sonë ne rritëm pagat dhe dyfishuam pensionet, dhamë mbështetje për të gjitha profesionet dhe kategoritë e tyre, gjë të cilën do të vazhdojmë ta bëjmë dhe në të ardhmen, pohoi Topalli, e cila ka veçuar se me premtimet e mbajtura vendi ynë nuk shihet më si vendi i kontrabandave dhe i korrupsionit. Në fund të fjalës së saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar se në mandatin e dytë të qeverisë do të realizohen rritje të tjera.

**************************************
Braçe: Topalli po shkel Kushtetutën
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist dhe deputeti i Qarkut të Beratit, Erjon Braçe ka reaguar përpara takimit që kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka bërë me gratë dhe vajzat e qytetit të Kuçovës. Nëpërmjet një konference për shtyp, të zhvilluar përpara bashkisë së këtij qyteti, ai ka dënuar aktin e ndërprerjes së zhvillimit të mësimit në Kuçovë, Berat e rrethinat, gjatë vizitës së Topallit në këtë qytet. Sipas tij, kryeparlamentarja me këto veprime po shkel rëndë Kushtetutën e vendit. Si mundet një nënë që ka fëmijë, të marrë e tu mësojë nxënësve të lënë mësimin, që po e lënë atë me dhunë. Si mundet një pedagoge, siç ka qenë zonja Topalli, të mësojë mësueset të lënë mësimin dhe si mundet që kryetarja e Kuvendit të shkelë Kushtetutën, është shprehur Braçe. Sipas tij, mësuesit në Kuçovë, por dhe në Berat dhe në rrethina kanë ndërprerë mësimin dhe së bashku me nxënësit që duhet të ishin në shkollë, janë urdhëruar që të dalin dhe të presin kryetaren e parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›