E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj përshëndet qëndrimin francez për zgjerimin e BE

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka përshëndetur qëndrimin francez për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, qëndrim i shprehur nga Sekretari Francez i Shtetit për Çështjet Europiane, z. Bruno Le Mer. Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet prioritet dhe sfidë e rëndësishme e politikës së re europiane. Integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben më së miri paqes dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm të rajonit të trazuar të Ballkanit, por edhe të vetë Europës, ka vlerësuar deputeti Biberaj. Sipas tij, qëndrimi francez vjen në momentin e duhur për Shqipërinë, pasi siç dihet tashmë Shqipëria pritet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda Presidencës Çeke. Ndër të tjera, deputeti Biberaj shprehet se integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, si dhe lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve shqiptarë mbeten prioritete kryesore jo vetëm të maxhorancës, por edhe të politikës shqiptare në përgjithësi. Pasi këto, sipas tij përfaqësojnë edhe interesa madhore dhe strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, interesa që natyrisht qëndrojnë mbi interesat politiko-partiake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›