E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dhe PR nuk paraqesin emrat e anëtarëve të KZAZ, rrezikohen zgjedhjet

Ristani: Partitë kanë shkelur afatet ligjore për dorëzimin e emrave
Kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, Arben Ristani në një prononcim për gazetën SOT deklaroi se afati i paraqitjes së listës së kandidatëve nga subjektet zgjedhore duhet të bëhet jo më vonë se 40 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Ristani shpjegoi se jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve regjistrohen subjektet zgjedhore që janë parti politike, koalicione ose kandidatët e propozuar. Kryetari Ristani tha se subjekte zgjedhore, koalicione e kanë afatin 45 ditë. Sipas tij, pasi këto regjistrohen secila sjell listën e kandidatëve të zgjedhur dhe lista duhet të paraqitet në KQZ jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. Përsa i përket buxhetit të KQZ, sipas Ristanit pritet të miratohet. Në buxhetin e KQZ është lëvruar pjesa që ishte e miratuar para se të hynte kodi në fuqi. Ne kemi kërkuar një pjesë, për të cilën presim të miratohet, deklaroi Ristani. Ndërsa përsa i përket infrastrukturës së komisioneve të nivelit të dytë, Ristani deklaroi se ngritja e KZAZ-ve është realizuar në të gjithë vendin. Por sipas tij, këto komisione të nivelit të dytë në bazë të ligjit duhet të ngriheshin 90 ditë para datës së zgjedhjeve, pra në 28 mars. E ndërsa përsa i përket propozimeve për komisionerët, kryetari Ristani tha se ato duhet të vinin 15 ditë para këtij 90 ditëshi, që do të thotë data 13 mars. Ristani për të disatën herë deklaroi shqetësimin e tij se PR dhe PS ende nuk kanë sjellë në KQZ emrat e komisionerëve. Ai tha se subjektet zgjedhore PD i paraqiti në kohë dhe PSD, ndërsa PR dhe PS e shkelën këtë afat. Gjithashtu, Ristani deklaroi se PS kishte detyrim që në përbërje të anëtarëve të komisioneve të kishte jo më pak se 30% kandidate femra. Sipas tij, këtë detyrim ata nuk e kanë plotësuar dhe vazhdojnë të jenë në shkelje të ligjit edhe sot, ku me gjithë zëvendësimet e bëra kanë arritur masën 23% nga 30% që parashikon ligji. Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar projekt-udhëzimin për edukimin e zgjedhësve nëpërmjet mediave dhe formave të shkruara. Nëpërmjet këtij udhëzimi janë përcaktuar mediat vizive, të shkruara dhe ato radiofonike ku KQZ do të bëjë informimin dhe edukimin e zgjedhësve për mënyrën se si do të votohet. Burime nga KQZ bëjnë të ditur se fondi i vënë në dispozicion për realizimin e këtij procesi është rreth 400 mln lekë. Gjithashtu, KQZ do ta kryejë procesin e informimit edhe nëpërmjet formave të tjera si fletëpalosje, postera, banderola, shkrime nëpër autobuza të linjave urbane dhe interurbane etj.
Hidhen Afro 1.5 milion euro për monitorimin e numërimit të votave.
R&T, një kompani shqiptare është firma që është përzgjedhur nga drejtoria përkatëse brenda Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve me një vlerë prej afërsisht 1.5 milionë euro.
Anëtarët dhe përfaqësuesit e partive politike kanë parë nga afër se si do të funksionojë demonstrimi i fletës së votimit përmes një kamere në një monitor. Ndërsa anëtarët e opozitës, sidomos përfaqësuesit e opozitës e konsideruan provën si të pranueshme ata mbetën sërish skeptikë për funksionimin 100% të këtij procesi. Problem duket se do jetë koha që do të duhet për të verifikuar në kamera çdo fletë votimi. Vendosja e kamerave në qendrat e numërimit të votave është një risi në këto zgjedhje. Sanksionimi i tyre në Kodin Zgjedhor e detyroi KQZ që të marrë masat për të mundësuar funksionimin e tyre. Para disa ditësh Transparency International ka shprehur shqetësimin për vonesat e partive në shpalljen e emrave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dy muaj e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit shumica e partive politike shqiptare ende nuk kanë bërë të njohur për votuesit e tyre kandidatët për deputetë. Në një reagim të saj lidhur me këtë, organizata Transparency International këto vonesa i konsideron shqetësuese. Publikimi në limitin ligjor, jo vetëm nuk i kontribuon transparencës para publikut, por mund të përbëjë rrezik për dobësimin e demokracive, vëren kjo organizatë. Sipas drejtuesve të saj, forcat politike shqiptare duhet t'i paraqesin sa më shpejt publikut emrat dhe CV-të e kandidatëve për deputetë në mënyrë që votuesit, por edhe mbarë opinioni t'i njoh sa më mirë. Ata thonë se ndryshe nga sistemi maxhoritar i korrektuar, sistemi i ri zgjedhor, ai proporcional rajonal, nuk jep shumë mundësi për njohje. Kohët e fundit ka pasur mjaftë polemika midis forcave politike për këtë çështje. Veçanërisht dy partitë e mëdha akuzuan njëra-tjetrën dhe sidomos liderët e tyre Berisha dhe Rama se po përpiqen të përfitojnë në procesin e hartimit të listave të deputetëve duke vënë përkrahës të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›