Tadiç: Mbështesim hyrjen e Kosovës në grupet financiare
Presidenti serb, Boris Tadiç ka dërguar sinjale kontradiktore në Këshillin e Evropës gjatë ditës së djesh-me, duke thënë se Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në institucionet globale financiare, megjithëse refuzon pavarësinë e saj. Deklarata e Tadiç pas takimit me Komisionerin e Zgjerimit në BE, Olli Rehn ka rënë ndesh me përpjekjet dhe deklaratat e deritanishme të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili ka deklaruar se Serbia nuk do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në asnjë institucion ndërkombëtar, nëse nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Por Tadiç, me sa duket ka ndërruar mendje pas takimit me Olli Rehn. Disa ekspertë ndërkombëtare, pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë komentuar se në fakt, Serbia nuk ka fuqi të ndalojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, nëse kjo e fundit përmbush kushtet. Dhe realisht FMN e ka njohur ndarjen e Kosovës nga Serbia në korrik 2008 dhe po merr ndërkohë parasysh aplikimin e saj si anëtare. Por rreziku qëndron në anëtarësimin e saj në OKB, ku duhet të bien dakord një pjesë e mirë shtetesh. “Serbia nuk dëshiron në asnjë mënyrë të ndalë procesin e anëtarësimit të Kosovës në disa institucione internacionale financiare”, tha Tadiç në fund të një takimi me Olli Rehn. “Serbia është e gatshme të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në vendosjen e stabilitetit në të gjithë shoqërinë e Kosovës”, tha Tadiç. Presidenti serb, me sa duket po i referohej planeve të autoriteteve të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Presidenti serb properëndimor u shpreh gjithashtu në prani të Rehn se, Beogradi nuk do të kundërshtojë zhvillimin e linjave tregtare mes Kosovës dhe fqinjëve të saj. Edhe kjo deklaratë është kontradiktore pasi në Serbi janë kthyer pas mallrat me vulën e Kosovës dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bosnjë. Komisionari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, tha se procesi i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian nuk ka lidhje me statusin e Kosovës. Rehn tha se qëllimi i BE-së “është përmirësimi dhe mbështetja e zhvillimit të situatës sociale dhe ekonomike në Kosovë”, duke theksuar se gjatë vitit do të publikohet raporti për situatën në Kosovë.