E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëjnë betimin anëtarët e Gjykatës së Lartë

Tiranë- Gjashtë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë u betuan pak më parë para Presidentit të Republikës.

Ariana Fullani, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea dhe Andi Çeliku bënë betimin në një ceremoni të zhvilluar në presidencë, në praninë e kreut të shtetit, Bamir Topi.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në selinë e Presidencës, z. Topi vlerësoi procesin e përzgjedhjes së 6 anëtarëve të rinj, një proces që sipas tij u shoqërua nga transparenca.

“Ky ishte një proces i shoqëruar nga transparenca dhe konsulenca cilësore, por dhe nga debati i gjerë politik dhe institucional. Ky debat dëshmoi se çështja e drejtësisë dhe konsolidimi i pavarësisë së saj janë kthyer në sfidat kryesore për arritjen e standardeve bashkëkohore të shtetit të së drejtës", u shpreh Topi.

Të pranishëm në ceremoninë e betimit të gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë ishin Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, drejtues të institucioneve të drejtësisë në vend, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›