Qeveria i jep ndihmë financiare ish-punonjësit të SHIK në Vlorë
Nikolin Nikollit, të torturuarit në masakrën e SHIK-ut i jepen 3 mln lekë nga fondi rezervë
TIRANË- Këshilli i Ministrave i jep ndihmë financiare për një ish-punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili mbeti i plagosur rëndë në krye të detyrën në Vlorë në vitin 1997. Nikolin Nikolli, ish-punonjës i SHIK-utdo të ndihmohet financiarisht me shumën tre milionë lekë, fond i cili do të përballohet nga rezervat e Këshillit të Ministrave. Për zbatimin e vendimit, dhënë nga Këshilli i Ministrave, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi është ngarkuar Ministria e Financave dhe Shërbimi Informativ i Shtetit. Nikolin Nikolli ishte një nga 12 punonjësit e SHISH që u sulmuan nga turma e irrituar në godinën e SHIK-ut në Vlorë, mbrëmjen e 28 shkurtit të vitit 1997. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, mes tyre dhe Nikolli ishin dërguar në Vlorë për protestat në shkurt të ’97. Ata kishin për detyrë mbajtjen nën kontroll të situatës, por protestuesit pretenduan të kundërtën duke u vënë kundër punonjësve të SHIK-ut. Qytetarët e revoltuar dhe anëtarët e grevës, pasi mësuan për praninë e punonjësve të SHIK-ut dhanë ultimatumin që punonjësit e shtetit të largoheshin nga Vlora. Por pavarësisht urdhrit të protestuesve punonjësit nuk u larguan ndërsa strehoheshin në godinën e tyre. Kanë qenë disa të shtëna në godinën ku qëndronin grevistët që çuan persona të armatosur në godinën e SHIK-ut. Pretendimet e turmës se këta të fundit kishin “gisht” në këto të shtëna ka bërë që oficerët të përjetojnë një torturë. Turma hapi zjarr me municione të rënda, duke hedhur granata nëpërmjet dritareve të godinës së SHIK-ut ku mbetën të plagosur rreth 5 vetë. Punonjësit nisën të dilnin nga dritaret e pasme të godinës, e cila nuk kontrollohej nga turma. Për rreth dy orë e gjysmë oficerët e Shërbimit Informativ i bënë rezistencë turmës së armatosur. Megjithatë beteja nuk përfundoi pa gjakderdhje. Dy punonjës mbetën të vdekur dhe gjashtë të tjerë të plagosur mes tyre dhe Nikolin Nikolli. Ai u transportua në spitalin e Vlorës, ku qëndroi tri javë. Por sipas dëshmive në spital, ai është torturuar. Njerëz të armatosur e përdornin atë për të egërsuar turmat duke e detyruar me grykë kallashnikovi dhe tortura çnjerëzore të pohonte deklaratat e tyre për plane të sajuara të SHIK-ut në Vlorë. Pas tri javësh torturë, Nikolin Nikolli u dërgua në Tiranë. Rreth 11 vjet pas tmerrit që përjetoi teksa ndodhej në krye të detyrës në Vlorë, për Nikollin është vendosur të jepet një shpërblim. Ai do të marrë tre milionë lekë, fond i cili u miratua nga Këshilli i Ministrave.