E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 115 familje në pritje të legalizimit

 

Kanë zbritur nga zonat e thella dhe janë vendosur në një repart ushtarak por tashmë janë lënë jashtë procesit

SHKODËR- Përfaqësues të banorëve të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në ambientet e ish-divizionit në qytetin e Shkodrës kanë kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e legalizimit sipas ligjeve aktuale. Për këtë ato i kanë dërguar dhe një letër ankese dhe presidentit të vendit, Bamir Topi, ku kërkojnë mos përjashtimin e tyre nga ky proces, gjë e cila ka ndodhur. Janë 115 familje të vendosura pas viteve 90-të në ambientet e ish-divizionit dhe këto jo vetëm ish- ushtarakë që nuk kishin shtëpi por dhe banorë të ardhur nga zonat rurale. Përfaqësues të banorëve, kanë bërë apel për gjetjen e një zgjidhjeje dhe në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak të Shkodrës. Kjo ka sjellë dhe debate mes këshilltarëve, të cilët janë shprehur në mënyra të ndryshme për zgjidhjen e këtij problemi duke synuar politizimin e çështjes. MartinMolla, përfaqësues i këtyre banorëve, është shprehur se janë 115 familje të vendosura në një sipërfaqe prej 35.560 metër katror, e cila është territor në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. “Ne kërkojmë legalizimin e banesave tona pasi i kemi blerë njëherë ato. Rasti ynë nuk është rast i veçantë dhe problemi është i thjeshtë për tu zgjidhur në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar. Kohët e fundit, për interes të bashkisë Shkodër, janë prishur dy shtëpi nga inspektorati i ndërtimit dhe ndihemi të pasigurt pasi nesër do na vijë dhe ne radha. Dokumentet tona nuk janë pranuar nga agjencia e legalizimit pasi sipas tyre është bashkia Shkodër ajo që na ka përjashtuar nga ky proces”,- ka pohuar ai. Pas debateve mes këshilltarëve është vendosur që ky me anë të një shkrese zyrtare t’i kërkohet ALUIZNI-t në Shkodër të nisë shqyrtimin e çështjes që lidhet me procesin e legalizimit për këto banesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›