Dekani i akuzuar për korrupsion, studentja heq denoncimin
Vajza që ka denoncuar pedagogun nga Korça ka tërhequr thëniet por prokuroria ka vendosur ta ndjekë vetë çështjen
KORÇË- Gjykata e shkallës së parë në Korçë ka lënë në burg pedagogun Robert Rado për akuzën e korrupsionit pasiv. Kalvari i ecejakeve në gjykatë për dekanin e infermierisë, të arrestuar pas një aksioni policie në një hotel në periferi të Korçës paraditen e 25 qershorit, ka vazhduar me një tjetër ballafaqim me togat e zeza. Ndërkaq, studentja 20 vjeçare, J. S, ka tërhequr denoncimin për profesorin e fiziologjisë në fakultetin e infermierisë, duke lënë dhe një deklaratë me shkrim pranë organit të akuzës.
Masa
Por edhe pse studentja 20- vjeçare ka hequr dorë nga denoncimi i bërë një muaj më parë për veprën penale të marrëdhënieve seksuale të mbetura në tentativë dhe shpërdorim detyre, prokuroria e Korçës ka vazhduar hetimet e saj. Ajo ka risjellë në gjykatë edhe akuzën e re, atë të korrupsionit pasiv dhe ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg pa afat. Por avokati mbrojtës i të pandehurit, Nevzat Tarrelli, ka kërkuar në seancën e djeshme gjyqësore revokimin e masës së sigurisë. Ai ka shpjeguar përpara gjykatës se vepra penale për të cilën është kërkuar burg nga ana e prokurorisë gati një javë më parë, është një vepër penale me “heqje dorë” nga denoncuesi. Kjo do të thotë që hetimi duhet të pushohet menjëherë në momentin që denoncuesi, dhe në këtë rast studentja, tërhiqet. Ndërkaq, për sa i përket akuzës tjetër të prokurorisë, atë të korrupsionit pasiv, sipas avokatit Tarrelli, kjo akuzë është e pabazë dhe bie pasi në asnjë rast nuk ka elementë të korrupsionit. Debati mes avokatit mbrojtës dhe prokurorit të çështjes, Elson Sadikaj, ka vazhduar gjatë por në fund ka qenë gjykata ajo që ka vendosur. Kryetari i trupit gjykues,Pëllumb Tare, ka vendosur të lerë në burg deri në përfundim të hetimeve të prokurorisë të pandehurin Robert Rado, 40 vjeç, me profesionin pedagog.
Ngjarja
Arrestimi i pedagogut ka ndodhur në 25 qershor të këtij viti kur studentja e ka futur atë në kurth duke i ofruar seks dhe të holla në këmbim të marrjes së provimit në degën e fiziologjisë. Ajo ka kërkuar ndihmën e organit të akuzës dhe më pas në bashkëpunim me policinë i kanë ngritur kurthin pedagogut. Vajza e ka ftuar 40 -vjeçarin, baba i një fëmije në motel në fshatin Ravonik për të kryer marrëdhënie intime. Profesori është joshur nga kërkesa që i është bërë dhe ka shkuar me dëshirë, ndërkohë që kjo e fundit i ka ofruar dhe 100 euro për provimin. Në këto momente ka hyrë dhe policia e cila ka ndaluar pedagogun, duke e akuzuar fillimisht për marrëdhënie seksuale të mbetura në tentativë dhe shpërdorim detyre, ndërsa gjatë të mërkurës akuza e re e prokurorisë së Korçës ka qenë ajo e korrupsionit pasiv.