E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejtaj: “Pse PSD-ja zgjodhi të hyjë në koalicionin e PS-së"

Deputeti i PSD-së: Konkurrimi me dy koalicione rrit shanset e opozitës në fitore. Bejtaj: “Koalicioni i përbërë mat peshën reale të partive”

Shaban Sulçe

Deputeti i Partisë Social-Demokrate, Engjëll Bejtaj, deklaron në një intervistë për gazetën “Albania” arsyet se përse PSD-ja zgjodhi Partinë Socialiste për të konkurruar në koalicionin e udhëhequr nga selia rozë në zgjedhjet e ardhshme. Bejtaj vlerëson koalicionin e përbërë si një matës real të peshës dhe forcës së partive. Gjithsesi, deputeti i PSD-së thekson se kandidimi i opozitës me dy koalicione në zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm që nuk e dëmton atë, por do ta ndihmojë në arritjen e një fitoreje të thellë dhe bindëse.

Zoti Bejtaj, cili është pozicioni i PSD-së në prag të vitit zgjedhor dhe si e shikon ajo përfaqësimin e opozitës me dy koalicione në zgjedhjet e ardhshme?
Partia Social-Demokrate ka kohë që po mendon për fushatën e ardhshme elektorale dhe në funksion të saj është përpjekur të bëjë analizën e gjendjes së strukturave të saj, të analizojë me objektivitet rezultatin zgjedhor të vitit 2007, me qëllim arritjen e një rezultati sa më pozitiv në zgjedhjet e 2009-s. Nga viti 1992 deri në vitin 2007, PSD ka pasur gjithmonë një rezultat të konsoliduar dhe elektorat të qëndrueshëm. Grupi ynë parlamentar ka pasur mesatarisht 7 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Në kushtet e një ligji të ri elektoral është i nevojshëm përpunimi i taktikave të reja elektorale, thelbi i të cilave është arritja e një rezultati sa më të thellë të së majtës. Objekti i analizave ka qenë situata e opozitës dhe
evidentimi i gabimeve të maxhorancës aktuale në qeverisje, për të cilat duhet thënë se është e vështirë, pasi këto gabime janë të shumta dhe të gjithanshme. Nga analiza e bërë rezulton se bazuar në ligjin e ri elektoral, e majta, që të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, duhet patjetër që të paraqitet me dy koalicione, të cilat domosdoshmërisht nuk duhet të hyjnë në zgjedhje si kundërshtare, por si aleate, me qëllim arritjen e një fitoreje sa më të thellë të opozitës. Dy koalicionet e mundshme të së majtës në zgjedhjet e ardhshme do të ishin PS-PSD e PDS, si dhe ndonjë forcë tjetër si PBDNJ-ja. Koalicioni tjetër do të ishte ai i udhëhequr nga LSI-ja, i përbërë nga ndonjë parti e qendrës, pse jo e qendrës së djathtë. Kjo gjë do të krijonte një garanci që maxhoranca e ardhshme të administronte 60% të vendeve në parlament. Dhe të mos harrojmë se për të realizuar vërtet reforma të mëdha dhe efikase kërkohet pasja e një maxhorance të tillë.

Çfarë përmban marrëveshja që ju keni arritur me Partinë Socialiste?

Aktualisht ne nuk kemi marrëveshje specifike me PS-në. Me Partinë Socialiste kemi qëndrime të përbashkëta për një seri çështjes. Ajo është më e rëndësishme është fakti se si PS-ja, ashtu edhe ne synojmë që të arrijmë një rezultat sa më të lartë në zgjedhjet e vitit 2009. Dhe që të arrihet kjo duhen sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet në gjirin e opozitës. Personalisht jam i mendimit se maxhoranca aktuale ka investuar maksimalisht që situata brenda opozitës të jetë e turbullt. Kjo ka ndodhur pjesërisht dhe është realizuar me anë të mekanizmave të cilat janë shfrytëzimi i Ekzekutivit, duke përdorur presione mbi individë të ndryshëm apo duke i mikluar dhe joshur ata me interesa ekonomike. Kjo situatë ka ndodhur edhe më parë.

PSD-ja e ka përkrahur e para idenë e koalicioneve të përbëra në zgjedhjet e ardhshme. Çfarë avantazhesh paraqet konkurrimi me anë të këtyre koalicioneve?
Gjatë diskutimit të kësaj ideje, palët, pra PS-ja dhe PSD-ja, gradualisht u bindën se koalicioni i përbërë është një zgjidhje optimale në kushtet e ligjit të ri elektoral. Falë koalicione të përbëra, por edhe falë konkurrimit të opozitës me dy koalicione, çdo votë e hedhur për të majtën nuk do të shkonte dëm. Falë koalicioneve të përbëra partitë do ta gjejnë veten brenda koalicionit, duke pranuar realitetin dhe duke njohur forcën dhe peshën reale të tyre, duke zhdukur në këtë mënyrë fiktivitetin dhe deformimin e rezultatit zgjedhor.

Çfarë e shtyn PSD-në të bashkëpunojë më ngushtë me PS-në dhe jo me LSI-në?

Partia Socialiste dhe Partia Social-Demokrate kanë një histori të përbashkët si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë. Ne jemi pjesë e forumeve politike të së majtës europiane dhe botërore, dhe orientimet e vazhdueshme të Internacionales Socialiste kanë qenë që gjithmonë këto dy parti të jenë sa më afër njëra-tjetrës. Duhet të theksoj gjithashtu se nuk jemi afruar aq shumë sa duhej. Ishte një projekt që kishte për qëllim bashkimin institucional midis PS-së dhe PSD-së, por kjo nuk ndodhi, dhe jo për fajin tonë.

A ka ndonjë favor PSD-ja nga konkurrimi përkrah PS-së në zgjedhjet e ardhshme?
Favori i vetëm është arritja e një rezultati sa më të suksesshëm për të majtën në këto zgjedhje. Kjo është ajo që i intereson PSD-së. Ne kemi tejkaluar shumë qëndrime dhe mosmarrëveshje që kemi pasur me Partinë Socialiste, si në rastin e ndryshimeve kushtetuese apo qëndrimeve të ndryshme përsa i përket qeverisjes aktuale. Prirja jonë ka qenë gjetja e pikave të përbashkëta dhe jo ndasitë. Afrimi i proceseve zgjedhore i bëjnë partitë që të bëjnë bilancet e tyre, për të parë se sa afër apo larg janë. Dhe ne qëndrojmë më afër me PS-në, por bashkëpunimi ynë me PS-në nuk është për të fituar hapësira, nëpërmjet një rezultati të pabazuar në zgjedhje.

Çfarë mendon PSD-ja për aplikimin në Kodin e ri Zgjedhor të sistemit të korrektimit kombëtar të votave?
Ligji aktual nuk e lejon korrektimin. Nëse do të bëhej korrektimi, atëherë duhej ndryshuar sërish Kushtetuta. Ne nuk do të ishim kundër nëse të gjitha palët do të binin dakord për të vendosur korrektimin kombëtar, por kjo duket e pamundur, sepse bie ndesh me sistemin proporcional rajonal, që është sanksionuar tashmë në Kushtetutë.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›