Skema si favorizohet PSD-ja nga koalicioni me PS-në
Koalicioni i përbërë, që imponohet nga aplikimi i sistemit proporcional rajonal, duket se ka qenë arsyeja kryesore mbi të cilën Partia Social-Demokrate ka zgjedhur Partinë Socialiste për të kandiduar përkrah saj në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. “Leverdia” e PSD-së së Skënder Gjinushit merr shkas nga përllogaritjet e mandateve të deputetëve, që buron nga aplikimi i sistemit proporcional rajonal dhe mënyrës së votimit që është përzgjedhur. Siç dihet, në zgjedhjet e ardhshme do të votohet me një fletë votimi, vetëm për një parti dhe vota e gjithsecilës prej partive do të mblidhet për të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicionit që ato bëjnë pjesë. Kjo mënyrë votimi konsiderohet pozitive, pasi përveçse grumbullon vota nga të gjitha partitë për koalicionin, do të shpalosë edhe forcat dhe peshën reale të secilës prej partive përbërëse në koalicion. Mandatet e deputetëve, të fituara nga një koalicion në një qark të caktuar, shpërndahen mes partive përbërëse në bazë të përqindjes së marrë. Në koalicionin e udhëhequr nga PS-ja, Partia Social-Demokrate mund të konsiderohet e favorizuar nga kjo skemë, pasi ajo është forca e dytë më e madhe e këtij koalicioni, në të cilin pritet të bëjnë pjesë gjithashtu PDS-j dhe PBDNJ-ja. Në shumë qarqe, PSD-ja e Gjinushit ka një elektorat të qëndrueshëm dhe ku pavarësisht se numri i votave nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kaluar pragun elektoral, ajo mund të sigurojë marrjen e të paktën një deputeti, falë tepricave të votave nga Partia Socialiste.
Shembulli
Për ta shpjeguar më mirë skemën, le t’i referohemi shembullit të mëposhtëm. Nëse në qarkun e Fierit konkurrohet për 10 deputetë dhe janë 100 000 votues, do të thotë se për marrjen e një deputeti pragu elektoral është marrja e 10 000 votave. Nëse koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialiste ka marrë 58 500 vota, nga të cilat PS-ja 49 000 vota, PSD-ja 8 000 vota, PBDNJ-ja 1 000 vota dhe PDS-ja 500 vota, praktikisht ndarja e mandateve bëhet: PS-ja 4 deputetë dhe PSD-ja 1 deputet. Pra PSD-ja mund të fitojë në këtë qark një deputet, edhe pse nuk e ka arritur plotësisht numrin e nevojshëm. Kjo do të ndodhë si rezultat i rimbursimit të votave dhe menaxhimit të mandateve brenda koalicionit në të cilin konkurron PSD-ja. Ajo e përfiton mandatin e deputetit pasi rezultati i saj zgjedhor i përafrohet më shumë pragut elektoral, duke siguruar përqindjen më të lartë në krahasim me partitë e tjera si PDS dhe PBDNJ. Pikërisht kjo përllogaritje duket se ka qenë një prej arsyeve kryesore në të cilat Partia Social-Demokrate nuk ka hezituar të deklarojë gatishmërinë e saj për të qenë në koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Koalicioni
Partia Social-Demokrate tradicionalisht ka qenë aleatja më e ngushtë e Partisë Socialiste, si në periudhën kur selia rozë drejtohej nga Fatos Nano, ashtu edhe në periudhën e drejtimit të saj nga Edi Rama. PSD-ja deklaroi gatishmërinë për të kandiduar përkrah PS-së në zgjedhjet e ardhshme. Këtij koalicioni i është bashkangjitur edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe sipas të gjitha gjasave pritet që me këtë koalicion të bashkohet edhe Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut.
24 Shtator 2008