Lëvizja e lirë e mallrave, KE-ja i ofron 1.7 milionë euro Shqipërisë
Komisioni Europian vë në dispozicion 1.7 milionë euro për përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave mes Shqipërisë dhe BE-së. Projektet do ta ndihmojnë Shqipërinë të përfitojë nga mundësitë që i ofrohen nga MSA-ja. Dy projektet e KE-së u prezantuan dje gjatë një ceremonie të veçantë ku ishte i pranishëm ambasadori Lohan, shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri. Këto para do të ndihmojnë Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të zhvillojë reforma institucionale dhe ligjore në mbështetje të lëvizjes së lirë të mallrave midis Shqipërisë dhe BE-së. Siç bëhet e ditur nga zyra për shtyp e përfaqësisë së Komisionit Europian në Shqipëri, rreth 800 mijë euro janë caktuar për të mbështetur aktivitete të akreditimit, standardeve dhe certifikimit në formën e ndihmës për Drejtorinë e Akreditimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit. Kurse një fond tjetër shtesë prej 900 mijë eurosh adreson çështje të rregullave teknike, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit në formën e ndihmës për Drejtorinë e Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Ekonomisë, për Shoqatën e Konsumatorëve shqiptarë si dhe për Inspektoratin e Përgjithshëm Teknik. Projektet do të vazhdojnë për një periudhë 2-vjeçare. Sipas Komisionit Europian, falë këtyre projekteve, autoritetet shqiptare do të përftojnë nga ngritja e kapaciteteve e trajnimeve dhe do të marrin ndihmë për të bashkërenduar legjislacionin shqiptar sipas atij të Bashkimit Europian në fushën e infrastrukturës cilësore. Pritet që në fund të projekteve, 80 për qind e standardeve europiane të jenë përvetësuar në Shqipëri. Edhe pse KE-ja ka vënë në dispozicion 1,7 milionë euro në ndihmë të tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe BE-së, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, u shpreh se qeveria duhet të marrë më shumë masa në ndihmë të tregtisë së lirë. “Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na ofrohet nëse duam të integrohemi në BE”, - tha ministri Ruli. Nga shuma që KE-ja i ka akorduar Shqipërisë, 800 mijë euro pritet të shkojnë për Drejtorinë e Akreditimit dhe Standardizimit, në një kohë që pjesa tjetër do të shkojë për Ministrinë e Ekonomisë, e cila do të merret me mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Produktet bujqësore organike, shteti subvencionon 50 për qind të certifikimit
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit parashikon që vitin e ardhshëm të aplikojë skemë subvencionuese deri në 50 për qind të vlerës për certifikimin e produkteve bujqësore organike. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Burimeve dhe Ofrimit të Shërbimeve, Irfan Tarelli, tha dje gjatë prezantimit të projektit "Për Zhvillimin e Bujqësisë Organike", që u organizua në Tiranë, nën kujdesin e Institutit Agronomik të Barit, se zhvillimi i bujqësisë organike në vendin tonë është një ndër prioritetet e dikasterit të Bujqësisë. Në këtë kuadër, vijoi ai, përmes projektit për subvencionimin e bujqësisë do të përfshihet për herë të parë dhe mbështetja e fermerëve me fonde falas për certifikimin e produkteve bujqësore organike.
24 Shtator 2008