I mituri akuzon Braun e Kristodulu për abuzim seksual
Laureta Rryçi
Tiranë - Thellohet skandali i abuzimit seksual me fëmijët nga anglezët që shërbenin në qendrën “Fëmijët e tij”. Një nga fëmijët ka dëshmuar dje nëpërmjet një video-konference larg kamerave, se është abuzuar seksualisht nga dy britanikët, Robin Arnold dhe Dino Kristodolu, bashkëpunëtorë të David Braunit, 56-vjeçarit që drejtonte qendrën. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës shpjeguan dje për gazetën “Albania” se i mituri nuk ka mundur ta vazhdojë dëshminë e tij dhe për shumë kohë, pasi ka qenë në gjendje të tronditur për shkak të asaj që i kishte ndodhur me dy të huajt. Për këtë shkak trupi gjykues dhe prokurorja e çështjes kanë rëndë dakord që ta ndërprisnin seancën gjyqësore për ta lënë vazhdimin e saj në një ditë tjetër. Të njëjtat burime pohuan se fëmija është mbajtur i fshehur në një dhomë tjetër dhe nuk është përballur me dy abuzuesit e tij.
Dëshmia
Fëmija dëshmoi se dy britanikët, ndonëse nuk janë parë shumë herë në qendër, në kohën e qëndrimit të tyre abuzohej me fëmijët. Dy britanikët dyshohen se derdhnin në arkën e fondacionit shuma të mëdha duke arritur të hyjnë në banesën e fondacionit dhe të abuzojnë me shtatë të mitur. Po kështu, në seancat e mëparshme, të tjerë të mitur kanë dëshmuar nëpërmjet video-konferencave se janë abuzuar seksualisht nga 60-vjeçari, të cilin ata e thërrisnin “Baba David”. Robin Arnold dhe Dino Kristodolu u ekstraduan vetëm pak kohë më parë nga Anglia për llogari të Drejtësisë shqiptare. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur vetëm pak kohë më parë dhe seanca e djeshme ishte e para në fazën e dëshmitarëve. Që të dy shtetasit e huaj nuk i pranojnë akuzat. Ndërkohë, procesi ndaj të akuzuarit të tretë, David Braun, ndodhet në një fazë tjetër, pasi ka mbaruar me dëshmitarët.
Arrestimi
Administratori i qendrës “Fëmijët e tij” u prangos rreth dy vite më parë, pas kontrolleve të bëra në qendër, ku u zbulua se David Braun abuzonte seksualisht me fëmijët. Dy miqtë e Braunit, Dino Kristodolu dhe Robin Arnold, të dyshuar për të njëjtat vepra penale, u arrestuan pak muaj më vonë në Londër dhe aktualisht janë ekstraduar në Shqipëri duke qenë pjesë e një procesi gjyqësor me të njëjtat akuza, por të veçuar. Mësohet se prokuroria ka një provë shumë të fortë për Robin Arnold, Dino Kristodulu dhe Devid Braun. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve. Devid Braun u arrestua në maj 2006 dhe prej asaj dite u përball i vetëm me gjykatë për akuzat e pedofilisë dhe të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Ndërsa procesi tjetër për të njëjtin skandal pritet të nisë pak dot më parë.
Gjykata lë në burg kosovarin që u arrestua me heroinë
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje arrest me burg për kosovarin që u arrestua tri ditë më parë në Portin e Durrësit. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se ndaj Seat Qerollit u vendos që të rikthehej në qeli për t’i dhënë mundësi organit të akuzës për hetime të mëtejshme. Të njëjtat burime shpjeguan se i arrestuari nuk e ka pranuar të ketë lidhje me 3 kilogramë heroinë që u gjet në automjetin e tij. Prokurori i çështjes solli para gjyqtarit të gatshëm si provë materiale aktin e ekspertimit mbi sasinë e pluhurit të bardhë që u ndalua në makinën e Qerollit. Sipas përfaqësuesit të Akuzës, nga shitja e heroinës mund të përfitoheshin 70 mijë euro. Seat Qerolli u arrestua të premten në mbrëmje në Portin e Durrësit. Sipas policisë, aksioni ishte kryer pas disa informacioneve paraprake që kishin mbërritur në sallën operative. Pas kësaj prokuroria do të kryejë një sërë ekspertizash të tjera duke nisur nga gjurmët e gishtërinjve që mund të gjenden në sasinë e lëndëve narkotike. Ndërsa Qerolli është dërguar për në qelitë e paraburgimit, mësohet se ai do të merret sërish në pyetje nga prokurori i çështjes. Kësaj here dëshmia e tij duket se do të shërbejë jo vetëm për të zbardhur destinacionin e heroinës, por edhe rrjetin në të cilin ishte përfshirë 40-vjeçari.
Masakra e Cërrikut, avokatët konfliktohen me gjykatën
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda do t’i drejtohet Dhomës kombëtare të Avokatëve dhe Ministrisë së Drejtësisë për të marrë masa ndaj avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për masakrën e Cërrikut. Mungesa sistematike e avokatëve bëhet shkak për shtyrjen e njëpasnjëshme të seancave. Edhe dje seanca e radhës është shtyrë për të njëjtin shkak. Në bankën e të akuzuarve për masakrën ndaj gardistëve më 23 maj të vitit 1997 në Cërrik janë ulur Roland Xhepexhiu, Met Bozi dhe Llazar Bicja. Në seancë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda hodhi poshtë kërkesën e njërit prej të akuzuarve, Roland Xhepexhiu, për revokim të masës së arrestit burg, me pretendimin se prokuroria nuk kishte prova ndaj akuzave të tij. Nga momenti që u hap dosja “Masakra e Cërrikut” Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prerë dhjetë fletë-arreste. Midis tyre dhe zyrtarë të lartë e deri te ish-punonjës policie. Policia e Shtetit, ajo e Elbasanit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, arriti të ulë në një farë mënyre dhimbjen e familjarëve të efektivëve të Gardës, Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi, që para një viti morën medaljen “Dëshmor i Atdheut”. Më pas u ndaluan Llazar Bici, 45 vjeç, Roland Xhepaxhiu, 39 vjeç dhe Met Bozi, 49 vjeç, të tre banues në Cërrik. Ndaj shtetasve të ndaluar rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “Vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 79/c/dh-25: 79/c/dh-25-22 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Më tej kësaj liste iu shtuan vëllezërit Alban dhe Arjan Toska, vëllezërit Bujar dhe Tomorr Buzani si dhe Skënder Cano, ish-oficer i Xhenios, dhe Entel Gashi.
Itali, arrestohet shqiptare me 13 kg kokainë
MILANO - Një i ri shqiptar është arrestuar mbrëmjen e tri ditëve më parë në Itali, nga policia e Milanos me 13 kg e gjysmë kokainë. Arian Gjana, 27 vjeç, po e dërgonte substancën narkotike në rivierën italiane, ndoshta nga Milano. Shqiptari është dërguar në burgun e “Kasettit” dhe do të merret në pyetje gjatë ditëve të ardhshme. Policia italiane dyshonte prej kohësh tek i riu shqiptar që kishte Riminin destinacion të tij të fundit. Kështu, mbrëmjen e së dielës, financierët italianë kanë ndaluar makinën e Arian Gjanës, një Opel “Astra Station”, në të cilën i riu udhëtonte vetëm. Shqiptari udhëtonte aq i qetë sa nuk kishte marrë as mundimin të fshihte drogën. Çanta në të cilën ndodhej droga ishte nën sytë e të gjithëve, sikurse të ishte një çantë me rroba të zakonshme. Brenda çantës së madhe ishin 12 panele me drogë, me një total me 13 kg e gjysmë kokainë që nëse do të ishte shitur në treg, do të kishte bërë të pasur shumë njerëz. Shqiptari nuk ka treguar asgjë deri tani, as se nga e ka marrë substancën narkotike dhe se kujt do ia dorëzonte.
Zihen në lokal, godasin dy kundërshtarët me shushet e birrës
Tiranë – Një i 20 vjeçar u arrestua në flagrancë, ndërsa shoku i tij 34- vjeçar është shpallur në kërkim për plagosje me dashje. Erjon Hysenaj, lindur dhe banues në Tiranë u arrestua sepse dje rreth orës 02:00, në Rrugën e Kavajës, në ambientet e një lokali, në bashkëpunim me Luan Mejdanin, 34 - vjeç, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta (shishe) Armand Mziun, 30 - vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, si dhe Haki Lamçja, 29 - vjeç. Të dëmtuarve ju dha ndihma e menjëhershme mjekësore dhe aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që po punohet për kapjen e shtetasit Luan Mejdani.
Ishte në kërkim për dënim të pakryer, arrestohet
Tiranë – Uniformat blu të kryeqytetit vunë në pranga një të kërkuar. Burimet thanë se dje u realizua arrestimi i Hajredin Allarajt, 30 - vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Amallaj Durrës, i dënuar më parë për shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor dhe të largimit nga vendi i aksidentit. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim Policia e Durrësit sepse Gjykata e Apelit Durrës, me vendim të datës 22 Dhjetor 2005, e ka dënuar me 5 - vjet burg, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimit nga vendi i aksidentit”.
24 Shtator 2008