E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Transparency International”: Korrupsioni mbetet problem serioz



Eljona Ballhysa
Shqipëria vazhdon të mbetet një ndër vendet ku korrupsioni është problem serioz, pavarësisht arritjeve që janë bërë vitet e fundit. Ky është konstatimi i bërë dje në një raport të “Transparency International, Albania”. Në një deklaratë për shtyp, drejtoresha e “ITA”, Mariana Papa, bëri të ditur se Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85-të nga 180 vende të botës për indeksin e perceptimit të korrupsionit. Sipas saj, megjithëse vendi ka bërë progres në masën 0.5 pikë nga viti i kaluar, sërish në sytë e publikut dhe të opinionit ndërkombëtar priten rezultate dhe masa të qëndrueshme kundër korrupsionit. Gjatë fjalës së mbajtur, drejtoresha Papa bëri të ditur se është e rëndësishme për Shqipërinë që të bëhen transparente e burimet e financimit të partive politike. Sipas saj, ky është një vit elektoral dhe pritet që vendi të arrijë standardet e kërkuara, pjesë e të cilave është dhe zbardhja e financave të partive.
Kërkesa
Nga qeveria shqiptare, për reduktimin e korrupsionit “Transparency International” kërkon, përveç bashkëpunimit të institucioneve, edhe forcimin veçanërisht të organeve të pavarura. “Reformat antikorrupsion kërkojnë transparencë dhe pjesëmarrje të gjerë të institucioneve të pavarura të shoqërisë civile, të medias dhe të çdo qytetari të këtij vendi. Një drejtësi e pavarur dhe profesionale është një komponent i rëndësishëm në betejën antikorrupsion”, - është shprehur zonja Papa. Sipas saj, “IT” vlerëson përpjekjet që po bëhen brenda sistemit të drejtësisë në drejtim të rritjes së pavarësisë, por nënvizon se ka ende shumë rrugë për të bërë për çlirimin e vetë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni dhe rritjes së pavarësisë së tij nga politika në respekt të ligjit.
Në konferencën e djeshme për shtyp “International Transprency” bëri të ditur se nismat e ndërmarra nga qeveria në fushat e edukimit, në regjistrimin e biznesit, në tatime, në prokurime nuk duhet të mbeten të veçuara dhe jashtë përqasjes në sistem të problemit të korrupsionit. Përkundrazi, sipas “IT”, është i nevojshëm hartimi i një strategjie apo plani të qartë veprimi me objektiva dhe tregues të matshëm, përgjegjësi të shprehura institucionale, si dhe buxhet transparent për të luftuar korrupsionin. Një tjetër kërkesë është dhe zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe vendosja e administratës publike mbi baza profesionale, gjë që do të ndikonte në maksimizimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. “Shkëputja e administratës publike nga militimi partiak do ta vendoste këtë të fundit përfundimisht në shërbim të qytetarëve”, - është shprehur Papa. “Transparency International” ka theksuar në raportin e tij për Shqipërinë se indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2008 demonstron qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë, ashtu si për të gjitha vendet e Europës Juglindore, të cilat janë vlerësuar me notën nën 5, që tregon se ato ballafaqohen nivele serioze të perceptimit të korrupsionit.
Të dhënat
Sipas raportit të “TI” Shqipëria ka shënuar një progres në perceptimin e korrupsionit duke u vlerësuar me 3.4, rezultati ky më i lartë i arritur. Shqipëria është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003, ku është vlerësuar me 2.5. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4. Që prej këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të përgjithshme me 1 notë, duke u vlerësuar në 2006-n me 2.6, në 2007-n me 2.9 dhe së fundi, në 2008-n, me 3.4. Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, duke lënë pas Bosnjën dhe Hercegovinën.

PD-ja vlerëson raportin e “Transparency International” për korrupsionin në Shqipëri

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka vlerësuar dje raportin e fundit të “Transparency International” për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri. Patozi u shpreh se raporti ka konfirmuar dhe njëherë luftën kundër korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria. Ai bëri të ditur se qeveria ka shembur muret e korrupsionit në vend dhe se raporti është përgjigje ndaj politikës së mohimit që drejtohet nga opozita. Në këtë kuadër Patozi theksoi se maxhoranca është në pritje të konsensusit të opozitës për reformat e mëdha në vend, si ajo zgjedhore, dhe reforma në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e opozitës për nismën për kufizimin e imunitetit të deputetit. “Ne prej pesë vitesh kemi shprehur vullnetin tonë të palëkundur për kufizimin e imunitetit të deputetit. Për këtë u kemi bërë ftesë të vazhdueshme të gjithë aktorëve politikë në Kuvend, ku gjithë peshën kryesore e ka opozita. Ne presim që ajo të bashkëpunojë dhe të hartojmë bashkë një ligj të përbashkët, qoftë dhe me ndryshime në Kushtetutë, në rast se kjo është e nevojshme”, - është shprehur Patozi.
Lidhur me hetimin e ngjarjes së Gërdecit ai ripohoi vullnetin e palëkundur të maxhorancës për zbardhjen e saj. “Ne ndjekim me shumë vëmendje hetimin e çështjes së Gërdecit dhe jemi për zbardhjen e çdo detaji të kësaj tragjedie. Por, për sa kohë institucionet e specializuara merren me këtë çështje, nuk takon neve të flasim para tyre”, - theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

PS-ja akuzon qeverinë për dështim në luftën kundër korrupsionit

Partia Socialiste e ka akuzuar dje qeverinë për dështimin në luftën kundër korrupsionit. Nëpërmjet sekretarit Ilir Beqa, PS-ja ka bërë të ditur se shifrat e fundit të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë se korrupsioni është tashmë njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje që e ka përkeqësuar treguesin e korrupsionit tri herë krahasuar me vendet e pranuara së fundi në Bashkimin Europian. “I tregojmë kryeministrit tonë të paditur se që në faqet e para të raportit ‘Të bësh biznes 2009’ thuhet qartë se studimi nuk vlerëson faktorët më të rëndësishëm që lidhen me mundësitë për të bërë biznes. Ai nuk mat dhe nuk vlerëson sigurinë e mjedisit, cilësinë e zbatimit të ligjeve dhe rregullave, cilësinë e funksionimit të institucioneve duke përfshirë dhe eficencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, cilësinë e infrastrukturës, mundësinë e bizneseve për të gjetur fuqi punëtore të kualifikuar, mundësinë e bizneseve për të qenë aktorë në një mjedis ku ka konkurrencë të ndershme. Raporti ‘Të bësh biznes 2009’ i kujton qartë edhe kryeministrit tonë të paditur se për të kuptuar klimën për zhvillimin e biznesit dhe për të përcaktuar politikat e nevojshme për përmirësimin e saj, ai duhet të lexojë studime të tjera të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe jo vetëm kopertinën tyre”, - është shprehur Beqa.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›