FMN-ja lë “amanetet” para largimit nga Shqipëria: Kujdes buxhetin dhe OSSH-në!
Ervin Koçi
Fondi Monetar Ndërkombëtar, tashmë në fund të misionit të tij në Shqipëri, u ka lënë një mori porosish dhe rekomandimesh përfaqësuesve të qeverisë shqiptare. Krerët më të lartë të këtij organizmi, pasi kanë zyrtarizuar dje largimin e tyre nga Shqipëria, pas përfundimit të misionit të gjatë të FMN-së në vendin tonë, kanë kërkuar më shumë garanci nga qeveria shqiptare se si ajo do t’i administrojë financat publike të shqiptarëve. Ndër rekomandimet që qeveria shqiptare duhet të ketë parasysh, FMN-ja ka nënvizuar shpenzimet e buxhetit dhe privatizimin e OSSH-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar i këshilloi qeverisë që të përpunojë një strategji dhe një reformë më nxitëse për pensionet. “Më shumë se udhëzimet duhen reforma tërësore”, - deklaroi shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell. Përfaqësuesi i FMN-së këshilloi gjithashtu që të mos aplikohet ulja e sigurimeve shoqërore deri në masën 5 për qind, e parashikuar nga qeveria për vitin e ardhshëm. FMN-ja i rekomandoi qeverisë të mbajë një pozicion fiskal më të shtrënguar dhe të bëjë rishikim të plotë të buxhetit. Vëmendje dhe kujdes nga ana e qeverisë FMN-ja kërkoi edhe në lidhje me shpenzimet e shumta qeveritare, duke porositur që të bëhet gjithmonë një pasqyrë transparente dhe publike se si janë bërë shpenzimet. FMN-ja largohet në një vit delikat për Shqipërinë, kur priten të zhvillohen zgjedhjet elektorale, të cilat mbartin me vete edhe rreziqe financiare, siç janë deficiti i lartë apo rënia e të ardhurave fiskale. Lidhur me këtë situatë përfaqësuesit e FMN-së kanë dhënë porosi të qartë edhe për Bankën e Shqipërisë, duke i tërhequr vëmendjen kësaj të fundit sidomos në marrjen e masave lidhur me situatën financiare ndërkombëtare.
Privatizimet
Fondi Monetar, megjithëse konstatoi përmirësime në punën e KESH-it, theksoi se “ky sektor mbetet ende larg objektivave”. Sa i përket KESH-it, FMN-ja shprehet se ky institucion duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të respektojë limitet për importet. Bell vlerësoi gjithashtu edhe ecurinë e procesit të privatizimeve në sektorin e energjisë elektrike, duke theksuar faktin se shoqëria e re e Operatorit të Shpërndarjes, OSSH, ka përmirësuar arkëtimet dhe humbjet, ndërsa rekomandoi drejtuesit e KESH-it të respektojnë limitet për importin në mënyrë që të mos ketë ndikim negativ në të ardhurat e KESH-it dhe në buxhetin e shtetit.
Investimet
Gjatë vitit 2009 qeveria shqiptare ka parashikuar të investoje edhe 30 miliardë lekë për përfundimin e autostradës Durrës-Kukës. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se, “janë marrë të gjitha masat që rruga Durrës-Kukës të përfundojë brenda vitit 2009, ku financimeve do t'u shtohen edhe 30 miliardë lekë të tjera”. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, në buxhetin e ardhshëm 250 milionë euro do të shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. “Përgatitja e buxhetit për vitin 2009 përbënte thelbin e debatit dhe të diskutimeve me FMN-në, duke theksuar se është një vit i rëndësishëm për investim, sepse do të shoqërojë një vit zgjedhor, dhe hartohet në një moment kur problemet në tregun financiar botëror janë evidente. Sigurisht që ka ministri që edhe në programin e investimeve kanë probleme në ecurinë e tyre gjatë vitit por në tërësi ecuria e investimeve publike konfirmon një performancë më të mirë të administratës në disbursimin e fondeve dhe përfundimin e veprave të nisura”, - tha ministri Bode. Pjesën kryesore të investimeve publike e përbëjnë investimet në infrastrukturën rrugore dhe projektet e mëdha, që përbëjnë bazën kryesore të realizimit të programit të investimeve për vitin 2008.
Qeveria shqiptare, e vendosur t’i thotë “lamtumirë” FMN-së
Ndonëse FMN-ja e pranon me kënaqësi ftesën të qëndrojë ende në Shqipëri, duket se kështu nuk mendon qeveria shqiptare. “Kjo është një çështje për autoritetet shqiptare për të vendosur. Nuk i detyrojmë ne qeveritë të kenë programe me ne. Por vende të ndryshme e kanë bërë këtë në vite elektorale. Kanë kërkuar zgjatjen e marrëveshjeve me ne, por deri tani autoritetet shqiptare nuk e kanë bërë një gjë të tillë”,- u shpreh përfaqësuesi i FMN-së, Bell. Edhe pse FMN-ja nuk është larguar ende, që tani qeveria shqiptare ka shprehur kryeneçësinë e saj për t’iu kundërvënë disa sugjerimeve të Fondit. Një gjë e tillë është çështja e uljes së kontributeve që paguan biznesi. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i Fondit Monetar, Gervin Bell, shprehu rezerva, sidomos lidhur me uljen e normës së sigurimeve shoqërore, ndërsa sugjeroi qeverinë të ndërmarrë një reformë pensionesh, e cila do të bënte një lidhje më të fortë mes kontributit dhe përfitimit. Por nuk ka menduar kështu ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka deklaruar se “qeveria ka treguar se është e aftë të menaxhojë situata edhe më komplekse se zgjedhjet dhe të tregojë aftësi për t’i përballuar me sukses këto zhvillime”. Lidhur me këtë çështje ministri Bode u shpreh se ulja e taksave dhe administrimi i mirë i tyre, zgjerimi i bazës së kontribuesve përbën rrugën më të mirë për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe po ashtu instrumentin më të mirë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve private. Sipas tij, politika e zbutjes së taksave dhe zgjerimi i bazës kontribuuese, e shoqëruar me një administrim të mirë, ndihmon shumë në mënjanimin dhe eliminimin e informalitetit, si dhe në uljen e nivelit të korrupsionit në administratë. Misioni i FMN-së ka mbërritur në Tiranë për të monitoruar hartimin e buxhetit të vitit 2009, i cili do të ketë sërish investime të larta 7.5 për qind të PBB-së dhe ku gati 400 milionë dollarë të tjerë do të shkojnë vetëm për rrugën Durrës-Kukës.
24 Shtator 2008