E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja kërkon ngritjen e komisionit hetimor për planin urbanistik të Tiranës



Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, bëri të ditur dje në Kuvend projektin më të fundit për të sulmuar në prag të zgjedhjeve kryetarin e PS-së, Edi Rama. Paloka tha se ka gati kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar kryebashkiakun Rama, i cili, sipas tij, ka gati 10 vjet që mban peng planin urbanistik të kryeqytetit. Më tej ai akuzoi kryetarin e Bashkisë për abuzim me lejet e ndërtimit. Sipas Palokës, Rama mban peng lejet e ndërtimit dhe i firmos ato vetëm në këmbim të përqindjeve që do të marrë nga kompanitë e ndërtimit. Më tej Paloka citoi disa përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kanë bërë thirrje që të zbatohet plani urbanistik për qendrën e Tiranës. Kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor duket e vonuar, pasi Kuvendi i mbyll punimet një muaj para fillimit të fushatës zgjedhore dhe nuk ka më kohë për të miratuar një komision hetimor.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›