E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: “Topalli në vend të Berishës, si Shkurte Pal Vataj në vend të Enverit”



Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka reaguar dje gjatë një prononcimi rreth aspiratës së kryetares së Kuvendit për të marrë postin e kryetarit të PD-së. Gjatë një prononcimi për Vizion Plusin, i pyetur për mundësitë që ka Topalli të zgjidhet si kryetare e PD-së, Biberaj u shpreh se “rasti i Topallit është njëlloj si rasti i Shkurte Pal Vatajt, që dëshironte të ishte në vend të Enver Hoxhës”. Një deklaratë e tillë e Biberajt nënkupton se shanset që Topalli të vendoset në krye të PD-së janë të pakta. Më tej deputeti i PD-së ka komentuar fushatën zgjedhore në parti. Ai është shprehur se ka një seri shkeljesh të statutit të partisë. Më tej Biberaj ka shprehur shqetësimin për mungesën e kolegjialitetit në vendimmarrje. Sipas tij, prej kohësh nuk funksionojnë strukturat e PD-së dhe se vendimet janë marrë vetëm nga kryesia e vogël e PD-së. Sipas Biberajt, kryesia e vogël e PD-së është një strukturë informale, që nuk njihet në asnjë pikë të Statutit të kësaj partie dhe që përbëhet vetëm nga 5 individë. Pikërisht këta individë kanë marrë në dorë fatet e Partisë Demokratike, një ndër partitë më të mëdha në vend.
Më tej Biberaj ka përmendur se qeverisja e PD-së gjatë këtyre katër viteve ka qenë e suksesshme në disa aspekte, duke përmendur investimet në infrastrukturë, ndërmarrjen e një sërë reformash të kërkuara nga ndërkombëtarët dhe arritja e anëtarësimit në NATO. Megjithatë, ai ka vënë theksin në domosdoshmërinë e trajtimit me seriozitet të zgjedhjeve të qershorit duke theksuar se është e domosdoshme që fushata zgjedhore të merret seriozisht.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›