Bejzade: Kur gjyqtari të luan kundër nuk fitohet
18/04/2005 Futbollistet e Elbasanit ia kanë faturuar barazimin e takimit gjykimit tendecioz nga ana e kryesorit Arjan Likja. “Në raste të tilla kur shikon, se gjyqtari është kundër teje nuk mund të jesh i qetë në fushën e lojës” - është shprehur në një deklaratë të tij Skerdi Bejzade. “Të gjithë ishim të qartë për faktin, se sapo është futur në ndeshje në pjesën e dytë të takimit, gjyqtari Likja ka qenë tendecioz, dhe i tillë mbeti derisa akordoi atë penallti të paqenë” - ka theksuar Bejzade, që është edhe golashënuesi më i mirë për Elbasanin në këtë kampionat. Ndërkohë njëanshmërinë e gjyqtarit kryesor e ka theksuar edhe trajneri i Elbasanit, Artan Bushati, i cili ka deklaruar se në rast të tilla kur e ke kundër gjyqtarin, nuk ke se çfarë bën më shumë në fushën e lojës. Megjithatë Bushati ka pranuar faktin se gjatë pjesës së dytë Elbasni shfaqi disa probleme në lojën e tij, duke qenë se edhe disa lojtarë nuk ishin në formën e tyre më të mirë, si kapiteni Ahmataj apo Asllani të dëmtuar, ndërkohë që Merxha nuk ka rikuperuar dot gjendjen shëndetsore për të qenë i pranishëm në ndeshje. Megjithatë sipas Bushatit, takimi kishte mundësi të mbyllej që në pjesën e parë, kur verdheblutë pas shënimit të golit të avantazhit kishin edhe disa raste të tjera shënimi. Ky barazim nuk ndryshoi asgjë në tabelën e renditjes së kampionatit, ku skudrat e kreut ruajtën jo vetëm vendet e tyre, por edhe diferencat e pikëve, që tashmë ka javë që nuk po ndryshojnë.