E Hënë, 2 Nëntor 2026

Halili: “Kualifikimin,ose do iki nga Tirana”

18/04/2005  Një nga donatorët më aktiv kërcënon largimin e tij, nëse bardheblutë nuk kualifikohen përballë Vllaznisë në Kupë

Pakënaqësi në te Tirana. Kjo është ajo që vihet re dukshëm pas barazimit të djeshëm në “Qemal Stafa”, që bardheblutë arritë të marrin me shumë vështirësi kundër Vllaznisë. E pikërisht ky rezultat ka nxjerrë hapur pakënaqësitë e donatorëve, të cilët pasi ishin mësuar me lojërat e dobta, tani duhet të përballen edhe me rezultate të pakënaqshme. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur dje njëri prej donatorëve të kampionëve të vendit, Refik Halili, i cili është shprehur, se një dështim i mundshëm i Tiranës të mërkurën në Shkodër në Kupën e Shqipërisë, do të sjellë ndryshime të mëdha në rradhët e futbollistëve, por edhe të financuesve. Njëri prej donatorëve më aktiv të skuadrës së Tiranës, Refik Halili, ka dhënë një përgjigje të prerë për skuadrën, duke thënë se një dështim i mundshëm në Shkodër në gjysëmfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë, do të sjellë largime të shumta në rradhët e stafit drejtues, por nuk përjashtohet mundësia që kjo fortunë të përfshijë edhe donatorët e klubit. “Pas të mërkurës do ta shoh qëndrimin tim si donator i Tiranës. Ndoshta unë mund të largohem, por ndoshta do të largojmë njerëz të tjerë, para se të largohemi ne si donatorë”, - është shprehur dje Halili, duke folur në përfundim të ndeshjes për një emision sportiv në një nga radiot shqiptare. - Tirana ka fituar 1-0 në takimin e parë gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë, por duke parë formën e saj aktuale dhe barazimin e djeshëm kur ishte në avantazh 1-0, drejtuesit e klubit i tremben një tjetër dështimi, çka do të ishte me pasoja për bardheblutë. Refik Halili tha se nuk i kishte bërë kritika skuadrës më parë me shpresën se do të ndryshonte diçka, por në prag të takimit në “Loro Boriçi”, ai ka dekklaruar se skuadra duhet të bëjë një lojë sulmuese. I pyetur për anën financiare, Halili ka thënë se financa e bardhebluve është më e mira në vend. “Jam i pakënaqur me këtë rezultat, -vahzdoi më tej Halili. - Ndoshta në futboll jam mësuar që të mos ketë kritika apo vërejtje, por duhet ta themi troç: ky është një rezultat shumë i keq për ekipin tonë. Ndërsa për sa i përket çështja financiare nuk ka aspak vend për të neglizhuar, sepse financa e klubit është shumë e lartë dhe fubtollistët po marrin paga të mëdha. Jemi të pakënaqur me skuadrën, me përjashtim të dy apo tre lojtarëve”. Në përjashtimet e tij, donatori i Tiranës ka vecuar emrin e Ervin Bulkut, i cili sipas Halilit, “Jep maksimumin thuajse në çdo ndeshje, luan shumë mirë gjatë gjithë lojës dhe lëviz në të cep të fushës”. Një tjetër pikë ku u ndal Halili ishte edhe shpirti i skuadrës. “Në ekip mungon gjaku i skuadrës”, - u shpreh ai. Duke hyrë në anën analizën teknike të skuadrës, Halili deklaroi se ekipi i tij kthehet në mbrojtje sapo kalon në avantazh, por kjo gjë nuk do të ndodhë duke filluar që nga ndeshja e ardhshme me shkodranët. “Vllaznia është një ekip i mirë, - theksoi njëri nga donatorët e bardhebluve, - luan një lojë të hapur dhe nuk luan në mbrojtje. Tirana ka kohë që ka luajtur në mbrojtje, por ne tani do të bëjmë një lojë sulmuese. Kur kalojmë në avantazh ne tërhiqemi, por kjo nuk do të ndodhë”, përfundoi ai. Prej kohësh është në shtyp është folur për një krisje të marrëdhënieve mes donatorëve dhe skuadrës, pasi drejtuesit e klubit nuk kanë qenë të kënaqur për lojërat e dobta të ekipit. Por heshtja e financuesve në shtyp dhe deklaratat e trajnerit Starova se nga “shefat” e tij nuk ka patur kritika, është lënë të nënkuptohet se gjithçka po shkon normalisht. Megjithatë mjaftoi një barazim me Vllazninë, që çdo gjë të dalë hapur, duke u lënë të nënkuptohet se dështimi në mesjavë mund të jetë fatal për bardheblutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›