E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbetur pa frymë

18/04/2005  Eshtë një mëkat, sepse, ndërkohë që çmimi i naftës mbetet një rrezik i afërt, madhësia dhe ritmi i rritjes së çekuilibrave globalë, është arsyeja e vërtetë për tu shqetësuar. Dhe nuk ka nevojë të jesh Kasandër, për të parashikuar që, kjo do të shkaktojë telashe të papëlqyeshme

Edhe në Amerikë, ku forca e ekspansionit i ka befasuar vazhdimisht ekonomistët, po lindin shenja për ngadalësim dhe shqetësime në lidhje me naftën. Me numrin e vendeve të punës, rritur jo më shumë se 100 000, raporti i marsit mbi papunësinë, ishte shumë më i dobët nga sa pritej. Shitjet me pakicë u rritën vetëm me 0.30 përqind në mars, më pak se gjysma e asaj që prisnin analistët, gjë që tregon se çmimet rekord të naftës, po hapin vrima në xhepat e konsumatorëve

Pranverë në Uashington, do të thotë mbërritje e lulëzimit të qershive, dhe, me më pak ngjyra, ajo e bankierëve dhe ministrave të financave nga e gjithë bota, për takime të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Teksa janë mbledhur këtë javë, humori i zyrtarëve nuk përputhej aspak me atë të stinës. Në krye të listës së tyre të shqetësimeve është mendimi se, rritja e çmimeve të naftës, mund të jetë duke futur në telashe ekonominë botërore.

Ndonëse çmimet e naftës pësuan një rënie këtë javë, duke iu kthyer 50 dollarëshit për fuçi, shqetësimi i politikëbërësve, është krejtësisht i kuptueshëm. Çmimet e naftës vazhdojnë të jenë 70 % më të lartë nga sa ishin dy vjet më parë. Natyrisht, kjo nuk është dhe aq shumë, krahasuar me rritjen 185 % në 1974 dhe 158 % në 1979, megjithatë, është një rritje domethënëse.

Kohët e fundit, shqetësimet e zyrtarëve kanë nisur të bëhen gjithnjë e më publike. Në 7 prill, ekonomistët në FMN shkaktuan një trazirë të vërtetë, kur thanë se bota duhet të mësohet me një “gjendje permanente shoku” nga çmimet e naftës. Falë kërkesës së fortë dhe ofertës së shtrënguar, argumentuan ata, çmimet e naftës do të jenë më të larta në të ardhmen, nga sa kanë qenë në vitet nëntëdhjetë. Jean-Claude Trichet, president i Bankës Qendrore Europiane, e quajti kohët e fundit rritjen në çmimet e naftës, si një rrezik “aspak të mirëpritur” ndaj rritjes ekonomike. Në një koment që të kujtonte vitet shtatëdhjetë, ai u bëri thirrje konsumatorëve që të bëhen “kursimtarë të mirë të energjisë”.

Deklarata e tij nuk është aspak befasuese, duke parë që ekonomitë nëpër Europë po lëkunden. Papunësia në zonën e euros është 8.9 përqind, në Gjermani, Francë dhe Spanjë, ajo matet me numra dyshifrorë. Prodhimi në vendet e monedhës së përbashkët, ka ngecur. Në botimin më të fundit për ekonominë, javën që kaloi, FMN, ashtu si edhe parashikues të tjerë para tij, deklaronte se rritja e GDP për zonën e euros, në këtë vit, do të jetë jo më e lartë se 1.6 përqind. Hallka tjetër e dobët e ekonomisë botërore, Japonia, megjithë përpjekjet e mëdha, e ka ende të vështirë të rikthehet në jetë. Rritja e çmimeve të naftës nuk ka ndihmuar aspak, asnjërin prej këtyre gjigandëve tashmë “ngordhalaqë”.

Edhe në Amerikë, ku forca e ekspansionit i ka befasuar vazhdimisht ekonomistët, po lindin shenja për ngadalësim dhe shqetësime në lidhje me naftën. Me numrin e vendeve të punës, rritur jo më shumë se 100 000, raporti i marsit mbi papunësinë, ishte shumë më i dobët nga sa pritej. Shitjet me pakicë u rritën vetëm me 0.30 përqind në mars, më pak se gjysma e asaj që prisnin analistët, gjë që tregon se çmimet rekord të naftës, po hapin vrima në xhepat e konsumatorëve.

Ja pra, përse nafta ka qenë tema më kryesore e axhendës në Uashingon këtë fundjavë. Në raportin e vet, FMN parashikon që rritja globale në 2005, do të jetë 0.8 përqind më e ulët se sa vitin e kaluar. Dhe ai fajëson pikërisht, rritjen e çmimeve të naftës, për të paktën një të tretën e reduktimit. Edhe ai parashikim bazohej në çmime disi më të ulët nga ata të sotmit. Dhe ç’është më shqetësuese, ekonomistët mendojnë se çmimi i naftës nuk ka një ndikim linear mbi prodhimin. Sipas tyre, pasi kalon një pikë e caktuar, impakti i tyre është shumë më i madh.

Deri tani, ndoshta është për tu habitur se sa pak ndikim ka patur rritja e çmimeve të naftës. Vitin e kaluar, në fund të fundit, GDP globale u rrit me 5.1 përqind, norma më e shpejtë e rritjes për një brez të tërë. Për këtë, ka disa arsye. Ekonomia botërore është më pak intensive në drejtim të naftës nga sa ka qenë. Ndryshe nga shoku i ofertës në vitet shtatëdhjetë, pjesa më e madhe e rritjes së çmimeve këto kohë, ka ardhur nga rritja e shpejtë e kërkesës për naftë. Nafta është më e shtrenjtë, pjesërisht, për arsye se disa ekonomi si ajo amerikane dhe kineze, janë rritur me ritme shumë të shpejtë. Reputacioni i fortë i bankave qëndrore në luftimin e inflacionit, ka bërë që rritja e çmimeve të naftës, të mos përkthehet më spirale çmime-paga. Këto kushte favorizuese mund të mos kenë jetë të gjatë, por për momentin, ata janë një arsye e mirë për të mos qenë pesimistë.

Megjithatë, çmimet e larta të naftës, e acarojnë dobësinë e vërtetë të ekonomisë botërore, natyrën e paekuilibruar të rritjes ekonomike globale. Pas performancës, përgjithësisht të mirë, fshihet një ndarje më dysh mes të fuqishmëve (Amerika dhe Kina në veçanti) dhe gulçuesve (Japonia dhe Europa kontinentale). Ndonëse të gjithë këta vende janë importues të naftës, ata kanë reaguar në mënyra shumë të ndryshme ndaj rritjes së çmimeve të naftës. Amerika dhe Kina, deri tani, kanë arritur ti kontrollojnë, ndërsa ekonomitë e dobëta, kanë parë kërkesën të rrudhet. Një gjë e tillë ka ekzagjeruar çekuilibrat që ekzistonin tashmë, sidomos deficitet tregtarë të Amerikës.

Sipas statistikave të bëra publike në 12 prill, deficiti tregtar mujor i SHBA, arriti 61 miliardë dollarë në shkurt. Rritja e çmimeve të naftës, mund të shënojë një tjetër rritje për marsin - ndonëse pjesa më e madhe e rritjes në shkurt, pasqyroi rritjen e shpejtë në importet veç naftës, të cilët ishin 16 përqind më të lartë se sa në shkurt 2004.

Brad Setser, një ish zyrtar i Thesarit, që aktualisht pounon në Roubini Global Economics, një firmë analizash ekonomike, pranon se, nëse rritja e importeve veç naftës, vazhdon me ritmin që ka tani dhe çmimi i naftës mbetet 50 dollarë për fuçi, atëherë deficiti tregtar i Amerikës deri në fund të këtij viti, do të ketë arritur në 800 milionë dollarë. Thënë kjo, shifra mund të mos jetë aq e lartë, sepse çmimi 50 dollarë për fuçi, mund të ulë kërkesën e konsumatorit amerikan, duke detyruar kështu SHBA që të importojë më pak.

Gëzohu, është pranverë

Eshtë e mundur të jesh optimist për deficitin gjithnjë e më kolosal të SHBA, ashtu si edhe për naftën. Natyrisht, skenarët apokaliptikë për kolaps të dollarit apo fatkeqësi në ekonominë amerikane, nuk duken të afrët. Amerika nuk ka patur telashe në tërheqjen e kapitalit të nevojshëm për të financuar deficitet e saj në rritje. Ndonëse bankat qëndrore të Azisë vazhdojnë të jenë blerës të mëdhenj, ata nuk janë të vetmit. Falë rritjes së çmimeve, eksportuesit e naftës kanë mbledhur tepricat. Rezervat ruse të valutës, për shembull, janë sot mbi 130 miliardë USD. Shmë prej këtyre eksportuesve të naftës zgjedhiun asete në dollarë. Dollari është forcuar që nga fillimi i 2005 dhe normat afatgjata të interesit kanë mbetur të ulëta.

Kjo qetësi mund të shpjegojë arsyen, përse ministrat e financave të botës bëjnë kaq pak për t’iu larguar një ekonomie të udhëhequr nga rritja amerikane, dhe përse ata e kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës në Uashington, duke folur për naftën. Eshtë një mëkat, sepse ndërkohë që çmimi i naftës mbetet një rrezik i afërt, madhësia dhe ritmi i rritjes së çekuilibrave globalë, është arsyeja e vërtetë për t’u shqetësuar. Dhe nuk ka nevojë të jesh Kasandër, për të parashikuar që kjo do të shkaktojë telashe të papëlqyeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›