E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushaj: Vllaznia nuk bën pazare!

18/04/2005  Përfundimi i javës së 31-të të Superligës, nuk ka kaluar pa polemika dhe debate nga më të ndryshmet, ku në qendër të kësaj situate ka qenë edhe takimi i luajtur në “Qemal Stafa”, midis Tiranës dhe skuadrës së Vllaznisë. Pas këtij takimi, në shtypin e shkuar dhe atë elektronik, është folur gjatë, për “pazare” në mes skuadrës së Vllaznisë dhe ekipit kampion në fuqi, Tiranës. Por menjëherë ka ardhur edhe reagimi nga ana e drejtuesve të klubit shkodran, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë një hipotezë të tillë, duke theksuar se skuadra e Vllaznisë nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet në pazare tilla. Ka qenë zëvendëspresidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, që për “Metropol Sport” ka theksuar: ”Më vjen shumë keq që hidhen hipoteza të tilla në adresë të ekipit të Vllaznisë. Ekipi kuqeblu asnjëherë nuk është përfshirë në pazare dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjë kurrë. Të vjen akoma më keq, kur në këtë mes diskutohen dy nga skuadrat më të mëdha dhe me traditë të futbollit shqiptar, si Tirana dhe Vllaznia. Përballjet në mes këtyre dy ekipeve gjithmonë ka dhuruar emocione dhë spektakël, prandaj asnjëherë nuk mund të aludohet ndryshe, pavasisht nga momentet që mund që kalojnë skuadrat”. Duke i hyrë më në thellësi ndeshjes së të shtunës, Fushaj e thekson me forcë se në këtë takim është luajtur një futboll i vërtetë dhe se nuk ka patur trukime. “Ne kishim shkuar atje, për të zhvilluar ndeshjen e radhës për kampionat, ku kishim objektivat tona. Sigurisht që ekipi ynë, në pjesën e parë nuk doli në lojën e vet, por në pjesën e dytë, pati një rritje në lojë, ku edhe arriti ta barazonte takimin. Morëm një pikë që na gëzon, por që duhej të merrnim më shumë, pasi jemi në vendin e katërt dhe kemi objektivat tona, që kërkojmë t’i arrijmë deri në fund të këtij sezoni”, - ka vazhduar Fushaj. Më tej, zëvendëspresidenti i Vllaznisë, ka argumentuar lojën jo të mirë të Vllaznisë në pjesën e parë të takimit, duke e lidhur atë me faktin se përballë kishte ekipin më të mirë, aktualisht, të Superligës, i cili edhe ai kishte objektivat e veta, ku synonte fitoren. Sipas Fushajt, në takime të tilla çdo rezultat është i pritshëm, prandaj nuk është ndonjë çudi që Vllaznia arriti të marrë këtë pikë ndaj Tiranës. Fushaj e vlerëson ekipin e Tiranës si një ekip shumë kompakt dhe me mjaft kualitete dhe që me miretë kryeson kampionatin tonë. Por, ende pa u shuar mirë emocionet që la pas java e 31-të e Superligës, të dy këto skuadra, duhet të bëhen gati për takimin e së mërkurës, në një tjetër supersfidë, të futbollit shqiptar. Por kësaj here, ky takim ka një tjetër specifikë, atë të gjysmëfinales së kupës së Shqipërisë. Ndërkohë, takimi i parë, i para dy javëve, ka përfunduar me rezultatin minimal, 1-0, në favor të Tiranës, takimi i kthimit pritet të jetë një “betejë” e vërtetë në mes këtyre dy ekipeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›