E Diel, 1 Nëntor 2026

"Macja"... makth dhe pagjumësi

18/04/2005  Spiro Duni

Pas premires së shfaqjes "Macja në çatinë e nxehtë, regjisori Duni u shpreh për "Metropol", se vepra të tilla janë pagjumësi dhe makthe që në momentin që vendos ta vësh në skenë. Tepër modest, Duni shprehet se suksesi i veprës vjen edhe prej ekipit të aktorëve, të cilët me kapiten Bujar Lakon mundën të sjellin mjeshtërisht këtë vepër të vështirë në skenë. Duke folur për planet të ardhme, regjisori Spiro Dini, shpreh ambicien e tij, për të sjellë në skenë një tjetër autor të madh, Sem Shephard

Çfarë përfaqëson për një regjisor vënia në skenë e një vepre të Ë---illiams?

Eshtë pagjumësi. Një makth që të ze që në momnetin e parë që vendos ta vësh në skenë. Kur e kam lexuar veprën në anglisht, si një lexues i thjeshtë, mund të them se e kam "neglizhuar" paksa. Por, kur më ka ardhur e përkthyer në shqip, jam tronditur. Kam qenë duke vënë një premierë në Kosovë dhe gati e harrova. Për gjithë natën e lexova disa herë dhe kjo vetëm me dy aktet e para që, në fakt, kanë të gjithë veprimin dramatik, pasi akti i tretë është një përmbledhje. Në atë moment vendosa që këtë vepër ta vë në skenë. Përkthyesi i veprës, Artur Lena, më ka dhënë edhe vepra të autorëve të tjerë, si Eugen O'Neil, por të cilat kërkojnë një publik të posaçëm, ndërsa te vepra e Ë----illiams, të gjithë personazhet vijnë me një gjuhë, jashtëzakonisht të thjeshtë, një preokupim për çdo regjisor teatri, në mënyrë që vepra të prekë të gjitha shtresat e autorit, ku secili ka mundësinë ta vlerësojë veprën nga këndvështrimi i tij. Një shqetësim tjetër është edhe ekipi që duhet të formosh, ku, së pari, duhet të gjesh një kapiten të zotë, ku pata fatin që Bujar Lako të pranonte ftesën tim, pa të cilin do ta kisha patur shumë të vështirë, por edhe Luiza (Xhuvani) apo dhe Alfred (Trebicka).

Një ekip ku Holta Daku u kontestua gati nga të gjithë për rolin e nënës, duke patur gjithmonë parasysh moshën e saj...

Kur thashë se Holta Daku do të luante rolin e nënës, të gjithë më quajtën një aventurier artistik. Personalisht, aktorët i gjykoj duke u nisur nga fakti se mund të jetë plak dhe të mos mund të luaj plakun, apo edhe anasjelltas. Për mua ka aktorë shumëplanësh, ku hyn edhe Daku, të cilën e shoh si një nga talentet e mëdha të teatrit shqiptar. Kam patur rasitn të bashkëpunoj disa herë me të dhe e kam parë nga pranë talentin e saj, pavarësisht se jo në role me raporte moshe në këtë parametër. Besoj se loja e saj së bashku edhe me grimin e shkëlqyer e bënë shumë të besueshme për të gjithë spektatorët, të cilët, në rast se nuk do të fliste nuk kishin për ta njohur fare. Përvoja shqiptare apo edhe ajo e huaj njohin raste të tilla: Albert Vërria në filmin "Kapedani", apo Marlon Brando, 47-vjeçar në rolin e Vito Korrleones, 70-vjeçar...

Një skenografi e spikatur, ku shtëpia i kishte lënë vendin një labirinthi...

Qëllimi ishte pikërisht ai, një labirinth, një kafaz. Vetë Ë----illiams në shënimet e tij përgjatë veprës, jep përshkrime të gjata në lidhje me detajet e dekorit, por, pasi mbaron të gjitha këto përshkrime, ai shton se kjo nuk do të thotë që regjisorët duhet të ndjekin këto përshkrime, pasi ata kanë liri absolute, deri në fantazi të "çmendura". Kjo më nxiti edhe mua që të kërkoja më shumë në këtë aspekt, duke u kërkuar skenografëve të ndryshëm ide të ndryshme. Por, Ledia (Hajdari), e cila ishte kostumografja, më solli një skicë që më pëlqeu shumë dhe filluam bashkëpunimin edhe për skenografinë. Elementi që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte dalja në pah e dyerve, pasi, ne vërtet dëshironim një kafaz, por skenografia nuk duhet të ketë qëllim të mbetet thjesht një simbol, por duhet të jetë maksimalisht funksionle dhe t'i shërbejë regjisë. Duke e realizuar këtë, si hap të dytë pata parasysh që, nëpërmjet ndriçimit ta evidentoj dhe ta ruaj karakterin e skenografisë së saj, me karakterin e vet, ku sikundër ishin aktorët në dritëhije, ashtu ishte ajo e ndriçuar. Por le të mos harrojmë kurrë se teatri është konvencion, regjisori mund të ndryshojë destinacionin e gjërave. Eshtë një liri që ma japin mjetet që disponon gjinia me të cilën unë punoj.

Një vepër me vlera universale në kohë, ku, pavarësisht nga ndryshimi i niveleve, problematika e saj është prezente edhe në shoqërinë shqiptare. Sa e lehtësoi dhe e vështirësoi ky fakt zbërthimin e karaktereve?

E lehtë ishte tematika dhe mesazhi i autorit, pasi që të dy këto aspekte i shkojnë për shtat realitetit shqiptar, ku krimi është i pranishëm. Vështirësia qëndron në pikëpamjen psikologjike, se në ç'masë ata janë vetëm amerikanë. Ky raport i masës, ku personazhet janë amerikanë dhe luhen nga aktorë shqiptarë, shuhet, pasi të çliron fakti se në shumë vende të botës, ku ndesh autorë amerikanë të luhen në Francë, autorë francezë të luhen në Greqi etj., që do të thotë se vështirësitë e perceptimit kalohen nga talenti i madh i aktorëve dhe imazhin regjisorial, që personazhet të qëndrojnë, në radhë të parë, si qenie njerëzore të besueshme. Kushdo, para se të thotë sa amerikan është Bujar Lako, do thotë që kjo qenie njerëzore ka logjikë në veprimet e tij dhe, në rast se unë të bind si regjisor që personazhin ta shohësh si qenie njerëzore, nacionaliteti nuk i intereson më askujt. Por më kryesorja është fakti se, vetë autorët si ai e të tjerë, nuk kanë kombësi, ata janë autorë të botës, ashtu sikundër Shekspiri dhe Williams i përket botës mbarë.

Vepra tjetër që do të dëshironit të vinit në skenë, pas Williams?

Ai është një autor shumë i madh dhe unë dridhem kur i mendoj edhe emrin. Quhet Sem Shephard dhe për mendimin tim, është dramaturgu më i madh i botës. Brenda tij mund të gjesh edhe Williams-in edhe O’Neil-in dhe Gene-në. Nuk dua të përmend emrin e veprës, pasi dëshiroj të mbetet një surprizë dhe për shqipërimin e veprës kam kërkuar sërish bashkëpunimin e Artur Lenës, pasi nuk mund të pretendoj njohjen e gjuhës në parametrat e tij, por natyrisht që mund të realizoj shumë mirë redaktimin skenik të veprës.

Dhe kur mendoni ta sillni këtë vepër në skenën e TK?

Unë mund të isha gati edhe për gjashtë muaj, por kjo nuk është vetëm në dorën time. Teatri Kombëtar ka programin e tij dhe unë, në fakt, jam në një bashkëpunim të jashtëm, pasi sikundër dihet në institucion nuk ka regjisorë të emëruar. Kërkesës së drejtorit Londo për një vënie tjetër në skenë i jam përgjigjur më këtë autor. Kjo, pasi personalisht, parapëlqej më shumë tragjikomedinë se sa dramën. Te vepra e Shephard që mendoj të sjell në skenë ka 7 personazhe tragjikomikë të jashtëzakonshëm. Jam shumë autokritik ndaj vetes, por kam bindjen se kjo vënie në skenë e “Maces” ishte një arritje, vepër e cila imponon një regjizurë shumë të vështirë, ku duhet të mbash temporitmin e dy personazheve në një dialog rreth 50 minutash. Punuam shumë fort dhe me profesionalizëm të lartë, por edhe konform kapaciteteve tona, një arritje të cilën e vlerëson në fakt kritika, publiku, pavarësisht nga ajo që mendojmë, apo besojmë ne. Ishte një provë e fortë, të cilën kam bindjen se kaluam me sukses dhe kjo më bën të jem shumë optimist edhe për veprën e Shephard.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›