E Hënë, 2 Nëntor 2026

Laze: Gjqtari u tall me paratë tona

18/04/2005  Presidenti i skuadrës së Elbasanit, gjithçka që ndodhi në ndeshjen me Dinamon ia faturon gjyqtarit Likja

Ngjarja e regjistruar në Elbasan pas ndeshjes së zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta”, ka qenë reagimi më i ashpër i tifozerisë vendase, ndaj qëndrimeve që Federata Shqiptare e Futbollit, klube të ndryshme, apo dhe gjyqtarë të ndryshëm kanë mbajtur ndaj ekipit verdheblu. Natyrisht që reagimet e dhunshme të disa tifozëve janë dënuar fuqishëm nga opinioni qytetar dhe sportëdashës të Elbasanit. Megjithatë e përbashkëta e këtij opinioni është njëanshmëria e gjyqtarit lushnjar, Arjan Likja, gjatë fillimit të pjesës së dytë deri në shënimin e golit të barazimit me anë të një 11-metërshi të disktueshëm. Ndërkohë penalltia e dhënë nuk është kontestuar vetëm për faktin se si erdhi ajo, por sepse ajo erdhi pas minutave të tëra, në të cilat gjyqtari ishte kontradiktor në vendimet e tij, shpeshherë edhe me ndihmësit e tij në këtë takim. Për këto arsye në momentin e dhënies së 11-metërshit ai ishte tepër i pabesueshëm për publikun vendas. Gjithçka më pas është përzier edhe me luftën mediatike mes dy klubeve gjatë javës për të shpërthyer në atë protestë, që degjneroi në thyerjen e disa xhamave të makinave të parkuara jashtë stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”. Ndërkohë, nga ana tjetër, presidenti i klubit të futbollit në Elbasan, Arben Laze, ka qenë tepër i pakënaqur me reagimin e disa tifozëve. Laze gjatë momenteve të konfrontimit të tyre, ka dalë jashtë stadiumit për t’iu kërkuar tifozëve të qetësoheshin dhe të vazhdonin rrugën drejt shtëpive të tyre. Ndërkohë që të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti i Elbasanit, Taulant Dedja, i cili është futur edhe në mes të turmës së përbërë nga disa dhjetëra persona për t’iu kërkuar atyre që të qetësoheshin. Edhe policia e Elbasanit ka zgjedhur taktikën e mospërdorimit të dhunës ndaj tifozëve pas përfundimit të ndeshjes, pasi në të kundërt reagimet e tifozëve mund të rëndoheshin e të krijonin një situatë, që mund të dilte nga kontrolli. Megjithatë të gjithë drejtuesit e klubit të futbollit Elbasani, kanë protestuar ashpër ndaj gjyqtarit kryesor Arjan Likja. “Është një fyrje për ne, - ka deklaruar presidenti Laze, - dhe për ata mijëra tifozë që gjenden në shkallët e stadiumit, nga një gjykim i tillë dhe një tallje me paratë tona e me ndjenjat e këtyre njerëzve që presin me padurim ditën e shtunë, për të parë ekipin e tyre të zemrës”. Gjithsesi, opinioni qytetar elbasanas, ende është i mbërthyer nga ato që ndodhën në takimin e së shtunës me Dinamon, ku mund të thuhet përsa i përket kampionatit, se Elbasani humbi shansin e fundit për të synuar kreun e renditjes në ligën superiore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›