Berluskoni: Në Champions vendos unë!
24/05/2005 “Do të shkojmë në Stamboll për të fituar Kupën e pestë të Kampioneve nën drejtimin tim dhe unë kam ardhur në Milanelo sepse, si trajner i vjetër që jam, dua t’i sugjeroj Ançelotit disa pozicione për mesfushën dhe sulmin”. Bën shaka presidenti Berluskoni, gjatë vizitës që i bën Milanit të tij në qendrën stërvitore të Milanelos, para nisjes për në Stamboll. Megjithatë, pronari i skuadrës kuqezi jo pak herë i ka sugjeruar lëvizjet e duhura jo vetëm Ançelotit, por edhe trajnerëve të mëparshëm, gjë që e pranon edhe vetë: “Është e vërtetë që unë flas dhe jap mendimin tim sa herë takohem me Ançelotin, por këtë gjë e kam bërë edhe me Sakin, Kapelon e gjithë trajnerët që kanë drejtuar këtë skuadër. Do të jetë finalja e shtatë që kur unë jam president i kësaj skuadre dhe besoj se mund ta fitojmë. Kupa numër 5 do të ishte më shumë se një rekord, duke qenë se edhe katër kupat që kemi fituar deri tani janë një rekord”. Nga grupi i lojtarëve, ka folur edhe Andrei Shevçenko: “Duhet të besojmë te vetja dhe të jemi të vetëdijshëm për forcën tonë. Me Liverpulin duhet të luajmë më shpejt dhe të evitojmë qarkullimin e dendur të topit në mesfushë, sepse kështu nuk do të gjejmë hapësira përpara. Është e vërtetë që kohët e fundit kemi ndjerë lodhje, sepse kemi luajtur shumë ndeshje pa bërë asnjë ditë pushim. Por tani kemi rekuperuar, jemi shumë mirë dhe kemi akoma uri, sa për t’iu përgjigjur Liverpulit. Duam t’i dhurojmë një kënaqësi të veçantë presidentit Berluskoni, sepse e dimë sa e dëshiron këtë trofe. Për atë, Milani është si fëmija i vet”.