Bekam: Mund të kthehem te Mançesteri
19/01/2005 Një deklaratë e rëndësishme e mesfushorit të Kombëtares angleze, Devid Bekam. Talenti i Real Madrid ka thënë se, do të kthehej vullnetarisht te Mançester Junajtid, nëse Real Madrid mendon ta nxjerrë në merkato. Pasi ka ardhur nga “Old Traford”, në korrik të 2003-it, pas prishjes së marrëdhënieve me trajnerin skocez, Aleks Ferguson, “Djaloshi i artë” ka deklaruar: “Mançester Junajtid është skuadra, me të cilën unë jam rritur dhe akoma më ka mbetur në zemër. E ndjej se mund të punoj akoma me Sir Aleks Ferguson”. Bekam më pas ka shtuar: “Këtu në Madrid nuk kam dhënë akoma më të mirën time, por kam mundësinë të luaj në një skuadër me disa nga futbollistët më të mirë në botë dhe dua të fitoj tituj të rëndësishëm me bluzën e kësaj skuadre”. Po ashtu, Devid Bekam mendon se kalimi i Tomas Gravesenit te Reali i Madridit, do ta kompletojë skuadrën e drejtuar nga Vanderlei Luksemburgo. Sipas disa zërave në shtypin spanjoll, kapiteni i Anglisë do ta humbasë vendin e tij në mesfushë, pas blerjes së Gravesenit nga Evertoni. Por ish-lojtari i Mançester Junajtid bëri një nga paraqitjet më të mira në fitoren 3-1, kundër Saragozës, në krah të Santiago Solarit në qendër të mesfushës. Bekam e filloi ndeshjen në qendër dhe kaloi në krahun e djathtë, kur Graveseni u fut në fushë në vend të Luis Figos, në minutën e 67-të, duke luajtur para mbrojtjes. "Në shtyp është shkruar shpesh se lojtarët anglezë do të largohen nga Madridi, por nuk kam dëgjuar asgjë për këtë fakt, kështu që po vazhdojmë të punojmë dhe të shijojmë futbollin, - tha Bekami. - Sa herë që vjen një trajner i ri, lojtarët duhet të mundohen t'i pëlqejnë. Unë, Oueni dhe Udgeit duhet të bëjmë të njëjtën gjë si pjesa tjetër e skuadrës. Graveseni do të jetë një lojtar i mirë për Madridin. Ai është lojtar me tipare mbrojtëse dhe i mirë në avancimet përpara. Të gjithë flasin për rivalitet, kur vjen një mesfushor i ri, por ai është ndryshe nga unë, ka më shumë tipare mbrojtëse. Mua më pëlqen të luaj në krahun e djathtë dhe në qendër, kështu që jam gati të luaj në të dy rolet. Nëse të dy do të luajmë në qendër, unë do të kem më shumë mundësi të avancoj përpara, gjë që nuk e kam bërë që kur kam qenë këtu”.