E Hënë, 2 Nëntor 2026

Laço e Starova nuk do të përfshihen në Grupet parlamentare

18/01/2005  Deputetët e Partisë Bashkimi Liberal, Teodor Laço dhe Arjan Starova nuk do të bëjnë pjesë në grupin e deputetëve të LZHK-së, por do të qëndrojnë të pavarur. Sipas deputetit të kësaj partie, Arjan Starova, zërat për një bashkim të mundshëm me lëvizjen e kryesuar nga Leka Zogu janë spekulime. "Nuk është e vërtetë që do të bashkohemi me LZHK-në, janë thjesht spekulime të medias të nxitura nga persona të veçantë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të pavarur dhe nuk do të marrim pjesë në asnjë grup parlamentar, përderisa të mos kemi asnjë sinjal bashkëpunimi me PD-në", shprehet Starova. Ndërkohë, dje në seancën parlamentare, u vendos që përbërja e grupeve parlamentare do të jetë me shtatë deputetë. Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ka kërkuar paraqitjen e emrave të grupeve parlamentae në Kryesinë e Kuvendit. Pas kësaj, partitë, që nuk e plotësojnë numrin e shtatë deputetëve, do të jenë pa grupe parlamentare. Gjithsesi, të enjten pritet që në tryezën e kryetarit të parlamentit, Pëllumbi, të paraqitet një projekt-amendament, i cili ta çojë numrin minimal që duhet të ketë një grup parlamentar atje ku ishte, pra me 5 deputetë. Nga ana e saj, LZHK-ja ka përfituar nga situata, ku ka filluar bisedimet për thithjen e sa më shumë deputetëve në gjirin e saj, përfshirë këtu dhe deputetët e PBL-së. Por, ndërsa liberalët e kanë refuzuar ftesën e bërë nga LZHK-ja, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me deputetin e PDR-së, Sajmir Curri, i cili pritet të kalojë në krahun e monarkistëve. Nga ana e tyre, deputetët e PDR-së mbeten me katër deputetë dhe kanë kthyer sytë nga deputetët që deri më tani nuk janë angazhuar në ndonjë grup parlamentar si Alfred Cako apo Ligoraq Karamelo. Një thirrje për bashkim forcash ka dhënë në drejtim të PAA-së së Xhuvelit deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi. Aprovimi i rregullores së re të parlamentit nuk lejon grup parlamentar me më pak se 7 deputetë në përbërjene tij, numër ky që nuk plotësohet pothuajse nga asnjëra prej partrive të vogla në parlament, me përjashtim të LSI-së dhe LZHK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›