Bekam në Finlandë për të shpëtuar karrierën
ëndrra përfundoi. Kur mungojnë vetëm 87 ditë nga Botërori 2010, Devid Bekam detyrohet që t’u japë fund shpresave për të luajtur në Afrikën e Jugut me Kombëtaren angleze. I gjithë faji është i mbrëmjes së mallkuar të 14 marsit: e cila nisi shumë keq për mesfushorin, me një shkelm në fytyrë, u përkeqësua me një shans goli të shpërdoruar dhe u mbyll me dëmtimin, ndoshta më të rëndin në karrierën e Behkam. Pas dëmtimit në “Tendinën e Akilit”, lojtari është nisur drejt Finlandës, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Pasi studiuan me kujdes situatën e 34-vjeçarit, stafi mjekësor i Milanit dhe menaxherët e britanikut vendosën që për operacionin të kujdeset doktori finlandez, Sakari Orava. Në të kaluarën, në bisturinë e tij kanë kaluar atleti italian i unazave, Juri Keki, sprintierja e lindur në Xhamajkë, por që përfaqëson Slloveninë, Merlin Otei, Didië Deshamp, Pep Guardiola dhe Xhonatan Vudgejt. Objektivi është që doktor Orava ti rikthejë Bekamit futbollin e niveleve të larta, ndërsa pjesëmarrja në Kupën e Botës duket e pamundur për t’u realizuar. Kjo u konfirmua nga vetë kirurgu: “Do të nevojiten afro tre muaj, përpara se Devid të gjuajë një top futbolli”. Dëmtimi i Bekham ka ardhur si një lajm i keq për Fabio Kapelon. “Jam shumë i zhgënjyer për dëmtimin e Devid, pasi ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në botëror. është një mungesë me peshë për Anglinë”, tha trajneri i “Tre Luanëve”. Edhe mediat britanike janë tronditur nga episodi në “San Siro”. “Një karrierë e shkëlqyer po shkon drejt një fundi të hidhur”, shkruante “Times”.
#