E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bekam në udhëkryq

18/03/2005  Mesfushori është shprehur se e ardhmja e tij te “galaktikët” është ende e pasigurtë

Devid Bekam ka këmbëngulur se, nuk do të largohet nga klubi i Real Madridit në verë, por gjithashtu ka pranuar se, një transferim i mundshëm i tij nuk mund të përjashtohet, pas deklaratave të shumta të presidentit, Florentino Perez, rreth të ashtuquajturës, “rinovim i galaktikëve”. Gjatë një konference për shtyp, Bekam, ka pranuar se këto mundësi janë mjaft reale. “Shpesh kam thënë se jam i lumtur te Real Madridi. Unë dua të qëndroj, por asgjë nuk është e sigurt në futboll”- deklaroi ish-lojtari i Mançester Junajtid. “Njerëzit thonë se, shumë lojtarë do të largohen në fund të këtij sezoni, por ne mund të vërtetojmë se deklaratat e tyre janë të gabuara”. Gjithashtu, spekullimet flasin edhe për një largim të mundshëm të Majkëll Ouen, pavarësisht nga fakti se ai nuk ka arritur të marrë fanelën e titullarit dhe ka shënuar nëntë gola në 1200 minuta. “Të gjithë e dijnë se, Majkëll është një lojtar i mirë dhe një golashënues i rregullt, por çdo gjë është në dorë të trajnerit dhe jo në timen”- deklaroi Bekam. “Nga ana tjetër, të gjithë njerëzit e shohin sesa golashënues i mirë është ai, por tekniku e ka të vështirë të vendosë, sepse në skuadër janë edhe dy lojtarë të tjerë të mirë, si Ronaldo dhe Raul. Sinqerisht, nuk do të preferoja të isha në vendin e trajnerit”. Për më tepër, mesfushori mendon se, lufta për titull nuk ka mbaruar ende, edhe pse “galaktikët” gjenden 11 pikë larg kryesueses së Barcelonës. “Unë kam avantazhin se kam qenë në një skuadër, e cila ka qenë 11 pikë prapa, kur Mançesteri ishte në ndjekje të Njukasëllit. Por, ne duhet të vazhdojmë të fitojmë ndeshje dhe duhet të mendojmë pozitivisht për çdo gjë”- deklaroi Bekam. “Nuk ka përfunduar, sepse kjo është njëra nga skuadrat më të mira në botë. Ne nuk kemi fituar asgjë për dy vjet, por asgjë nuk ka përfunduar dhe duhet të besojmë se çdo gjë mund të arrihet dhe të bëjmë të besojmë edhe njerëzit që na duan”- shtoi ai më pas. Madrilenasit janë kritikuar vazhdimisht, pas largimit nga Liga e Kampioneve dhe humbja me Getafen i ka vendosur ata, në pozita gati të pamundura për të fituar titullin. Në përpjekje për të motivuar lojtarët që të japim maksimumin deri në fund të sezonit, presidenti Perez, ka zhvilluar një mbledhje ditën e enjte dhe Bekam mendon se kjo ishte diçka pozitive. “Reagimi ishte shumë i mirë dhe është e rëndësishme për lojtarët dhe presidentin që të flasin me njëri-tjetrin. Por, vetëm lojtarët mund të ndryshojnë situatën dhe këtë gjë mund ta arrijmë, nëse punojmë shumë dhe japim gjithçka në fushë”- deklaroi sulmuesi i Kombëtares angleze. “Nuk mendoja se ky sezon do të përfundonte si ai i kaluari, sepse Real Madridi është një klub shumë i mirë, por gjithsesi futbolli është futboll”- deklaroi Bekam. Sezoni i dytë zhgënjyes për ekipin madrilenas ka nxjerrë në pah se, “galaktikët” aktualë nuk po japin rezultatet e dëshiruara dhe Bekam pranon se, Reali është një skuadër, e cila duhet të kërkojë vazhdimisht të përmirësohet. “Personalisht, mendoj se kur një klub i madh ka vështirësi, duhet të mundohet që të marrë lojtarë të rinj. Të njëjtën gjë bënë Mançester Junajtid, Çelsi, Arsenali dhe Milani. Nuk më takon mua të them se, kush është i denjë për të ardhur këtu. Kemi një skuadër shumë të fortë dhe disa nga lojtarët më të mirë në botë. I takon presidentit dhe trajnerit të vendosë”. Nëse Bekam do të largohet nga Madridi, atëherë Çelsi është edhe destinacioni më i mundshëm, të cilin anglezi e cilëson edhe si zëvendësuesin e Realit, për nga rëndësia. “Nuk mendoj se ne e kemi humbur epitetin “galaktikë”. Përsëri kemi disa nga lojtarët më të mirë në botë”- deklaroi Bekam. “Mendoj se Çelsi do të jetë në të njëjtën shkallë me Realin, nëse ata vazhdojnë të luajnë dhe të fitojnë. Të luajnë ashtu, si kundër Barcelonës, në Ligën e Kampioneve dhe nivelin që kanë treguar në Premiership. Por, mendoj se askush nuk dëshiron të ketë përballë një skuadër si Reali”- përfundoi Devid Bekam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›