E Hënë, 2 Nëntor 2026

Intelektualët “idiotë” të Tiranës

18/03/2005  Instalacion

Aktiviteti “Tiranë-Prishtinë” i Grupit vazhdon me projektin “Tirana overground”, ku artisti pjesëmarrës në këtë rast, Alvas Papandili, vjen me punën “Idiotët High – Tech”, që do të prezantohet për publikun si foto–instalacion, e instaluar sipër strehës, në hyrje të Galerisë Kombëtare të Arteve

Skizofrenia e prezantimit të vlerave e kapërceu krizën e sofistikimit në shekullin e 20-të. Shumë pak hapa larg saj, me vonesë, por edhe Shqipëria priti një fluks të madh ideshë, duke mbishtresuar konceptet klasike të së bukurës. Por, kjo nuk ka aq lidhje me vendin tonë, kur me ardhjen e Bodlerit, Niçes dhe Xhoisit, këto koncepte u kthyen me fytyrë nga realiteti dhe u ulën këmbëkryq me të.

Për ta ngjitur këtë realitet sot, në Galerinë Kombëtare të Arteve në projektin “Tirana overground”, Grupi i ka dhënë rastin artistit Alvas Papandili të kthejë ironinë e rëndë nga tregu konsumativ i internetit.

Ai ka huazuar personazhin e idiotit intelektual duke e eksportuar diku, a priori, nga San Petërburgu i largët për ta adaptuar në një ritëm impresionues për publikun, në një foto instalacion “Idioti high-tech”.

Këtu autori aludon mbi idetë për artistë gjenialë, të cilët janë zëvendësuar me njerëzit e ikur. “'Idiotët' e Von Trierit bëjnë kolazh me çmenduritë e Cattelanit – mostrat e Cunningham me ato të Damian Hirstit, dhe qindra mijëra njerëz që argëtimin e dikurshëm në natyrë, sot e kanë zëvendësuar me ofertat sociale të google.com”, thotë kuratori Fani Zguro.

Kjo shkon deri atje, për Zguron, sa dikush arrin të bindë disa të tjerë, se duke instaluar një helikopter letre mbi kokë, mund të fluturojë ose thjesht mund të qëndrojë pa lëvizur, në mënyrë që asistentët e tij ta dokumentojnë teorinë e fluturimit me aparat dixhital.

“Ata janë pjesë e rëndësishme e sistemit ku jetojmë dhe, nëse reflekton për një moment të vetëm duke dalë nga rutina e vetvetes, kupton se ata përbukuri kanë gjetur hapësirë edhe tek ty. 'Idiotët high–tech' nuk mund të përfytyrohen! Ata janë virtualë dhe supersonikë, ashtu si vetë mënyra jote e kërkimit”.

Magjepsja dhe tufatja e përfshirë si e natyrshme në këtë botë kërkimesh, për autorin e instalacionit, Papandilis, merr konceptin e reflektimit rreth klimës artistike sot, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.

“Mandej koncepti i të vërtetës, realisht e prezantuar në mënyrën më mizore të saj, e gjejmë tek Artaud, Modegliani, Burroughs, Pasollini, Bergman etj. Mandej akoma, kur CIA përfundimisht i ofroi metodat e saj të informimit tregut të konsumit, teknologjia dhe interneti e sofistikoi skizofreninë e prezantimit të vlerave”, do të kishte guximin e të parit ndryshe, kur në këtë shtesë, Zguro kërkon sensibilitetin mbi këtë performancë.

Aktiviteti “Tiranë–Prishtinë” i Grupit , vazhdon me projektin “Tirana overground”, ku artisti pjesëmarrës në këtë rast, Alvas Papandili, vjen në këtë punë të realizuar në periudhën që ishte ende student i Akademisë, por me një ndryshim, i cili konsiston në instalimin e saj. “Idiotët high–tech” u konceptua si një performancë, ndërsa për projektin “Tirana overground” ajo do të prezantohet për publikun si foto–instalacion. “Idiotët high–tech”, që do të instalohet sipër strehës, në hyrje të GKA-së.

Dizdari do vazhdojë Kongresin aty ku e la

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Limoz Dizdari, pasi ka bërë një mbledhje të zgjeruar të Kryesisë, bashkuar edhe me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të arteve, si edhe me disa krerë të degëve të Lidhjes në rrethe, ka vendosur që më 23 mars të mblidhet sërish për të caktuar datën e Kongresit.

Por me një fletë zyrtare për njoftimin e mediave, është caktuar prerazi se çdo lloj përfaqësimi tjetër është i paligjshëm. Në takim nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Kryesisë. Por me praninë e emrave autoritarë si A.Peçi, Xh.Spahiu, P.Çuli, M.Dhrami, K.Blushi, S.Godo duket se mbledhja ka marrë hije më serioze, duke vendosur përfundimisht një datë tjetër për Kongresin. Ndërsa Z.Morava dhe H.Sinani, dy kundërshtarët e vazhdueshëm të Dizdarit dhe mënyrës së tij të drejtimit, kanë ndezur sërish polemikën, duke kërkuar datë tjetër mbledhjeje për Kuvendin e Lidhjes. Jo më shumë se një muaj më parë, Kongresi i pestë i LSHA-së është pezulluar pas një acarimi ndërmjet shkrimtarëve dhe artistëve të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë. Mes sharjeve e fyerjeve, Dizdari ka lënë sallën në mënyrë demostrative, duke e vendosur vetë mbylljen e “seancës” më të paparë. Pas kësaj kanë vazhduar polemikat për inekzistencën e Lidhjes dhe moskuptimin e të qenit të saj në strukturat e deritanishme. Ndërsa janë bërë përpjekje të mëparshme nga Kryesia e Lidhjes, të propozuar nga Vath Koreshi, që kjo OJQ të kthehet në një Akademi Arti. Por ideja për të projektuar një platformë ka dështuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›