Vieri përsëri titullar
18/03/2005 Në kampin zikaltër ka ardhur momenti i Kristian Vierit. Bomberi interist, i cili nuk është aktivizuar qysh në takimin e derbit, pritet që të jetë në fushë qysh nga minuta e parë në përballjen me Fiorentinën. Vieri do të luaj në vijën e parë të sulmit së bashku me Adrianon. Ndërkaq në mendjen e Mançinit kanë filluar të shfaqen shumë dyshime edhe për sa i përket problemeve të nigerianit Obafemi Martins. Ky i fundit ka treguar disa shqetësime fizike, të cilat e vënë në dyshim aktivizimin e tij me Interin. Rikthimi i Vierit do të jetë tepër vendimtar për skuadrën zikaltër sepse Mançini së bashku me tifozët do të kenë mundësinë të shohin përsëri në sulm dyshen e ëndërruar. Në fakt problemi më i madh për momentin është zgjidhur. Me kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, Roberto Mançini ndihet më i qetë dhe mund të mendojë me kujdes për ecurinë në kampionat. Ai tashmë është më shumë i përqendruar në rikthimin e Kristian Vierit në formacionin titullar. Ka qenë shpesh ai, i cili edhe pse është nënvlerësuar, ishte në gjendje të mbante mbi supe gjithë peshën e sulmit në momentet kur ndodhej në vështirësi braziliani Adriano. Kështu, Vieri ka qëndruar jashtë fushave të futbollit si pasojë e problemeve fizike dhe ndërkohë vendi i tij është zënë nga Martins e Kruz. Pesha që zë Vieri në sulm dhe sidomos kur gëzon kushte të mira fizike, ka rezultuar një ndihmë e madhe edhe për Adrianon. Sulmuesi brazilian shpesh e ka patur të lehtë që të ketë më shumë hapësirë në zonën kundërshtare. Po kështu edhe Martins meqenëse vuan nga probleme në shpinë, mund të rekuperohet me qetësi sepse Kristian Vieri është plotësisht i gatshëm.