E Hënë, 2 Nëntor 2026

Londo: Qeveria stimulon injorantët në kulturë

18/03/2005  Parlamenti dhe qeveria po neglizhojnë e zvarrisin disa ligje për kulturën. Kreu i Komisionit parlamentar për Kulturën, Bardhyl Londo, ka shfrytëzuar dje hapësirën e debatit parlamentar, duke vënë theksin në nënvlerësimin që po i bën qeveria çështjeve të kulturës. Por, Londo është ndalur veçanërisht në problemet që ka libri me TVSH-në, që rezulton me shifrën më të lartë në të gjithë Evropën. Ai ka propozuar që taksa mbi librin të zbresë në 4%, pavarësisht se dhe kjo shumë nuk shkon me standardin e këtushëm.

"Kjo TVSH që aplikohet për librin është një skandal i vërtetë. Shqipëria është vendi i fundit që aplikon një TVSH të tillë për librin, që është i barabartë me të gjitha mallrat e tjerë dhe është më i lartë nga të gjithë vendet e tjera të Evropës", ka thënë Londo. Sipas statistikave, ka vende të cilat e kanë zero TVSH-në mbi librin. Këtë mosinteresim të vazhdueshëm të qeverisë kundrejt taksës së lartë mbi librin, Londo e ka lidhur dhe me një mendim radikal se, “qeveria është e interesuar për të nxitur injorancën dhe jo dijen e kulturën”.

“Po vërej se një sërë projektligjesh për kulturën janë duke u lënë pas dore, po injorohen dhe duket qartë se do të kalojnë për shqyrtim në parlamentin që do të vijë pas zgjedhjeve”, tha Londo.

Problemi i taksës që rëndon mbi librin në Shqipëri, duke e vlerësuar atë si të gjithë mallrat e tjera që tregtohen, ka kohë që qarkullon në vorbullën e premtimeve qeveritare, sidomos, kur bëhet fjalë për prag fushatash.

Sa herë hapin dyert panairet e librit, dalin të gjitha problemet, ku vërtiten rreth taksës së librit. Por deri tani nuk është bërë asgjë. Edhe para disa kohësh, një grup botuesish të përfshirë në shoqatën e botuesve, megjithëse kanë realizuar një takim me Kryeministrin, nuk kanë nxjerrë gjë në dritë, veç fjalëve të radhës “se Kryeministri na premtoi uljen e taksës së librit”. Kjo nuk ishte veçse fasadë e radhës, ku shoqata e botuesve vazhdon të jetë vetëm në rangun e kërkesave pa pasur fuqi imponuese në politikat për librin. Dhe gjithë këto probleme që përfshijnë librin, e ka vulosur së fundi dhe zvarritja e gjatë e ligjit për librin, ku ka rreth gjashtë vite mbi të cilin punohet pa asnjë rezultat. Madje, së fundmi, ministrit të Kulturës i ka shkrepur në kokë që të ndryshojë strukturën e Drejtorisë së Librit, pas dorëheqjes së drejtorit të saj. Ndërsa projektligji për librin ka rënë vërtetë në duar të besuara, në emra të tillë si D.Çuli, A.Plasari e V.Muçi, por dhe këta më shumë po ndjekin linjën e politikës së deritanishme të ministrisë; vetëm zvarritje.

TVSH në mallra të ndryshme dhe TVSH në libra

Shteti TVSH normale TVSH për libra

Argjentina 21 0.0

Austria 20 10

Belgjika 21 6

Kanadaja 15.5 7

Kolumbia 14 0.0

Finlanda 22 11

Franca 20.6 5.5

Greqia 18 4.0

Irlanda 21 0.0

Italia 19 4.0

Britania e Madhe 17.5 0.0

Lituania 18.0 0.0

Holanda 17.5 6.0

Norvegjia 23 0.0

Polonia 22 1.0

Rep.Çeke 17 5.0

Rep.Sllovake 25.0 6.0

Rusia 21.5 0.0

Spanja 16.0 4.0

Zvicra 6.5 2.0

Shqipëria 20 20

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›