Bekham: Mund të kthehem në janar te Milan
David Bekham, mund të vishet sërish kuqezi gjatë muajit Janar. Por këtë mundësi vetë “Spice Boy” nuk dëshiron ta konfirmoj, edhe pse lë hapur dyert e rikthimit të tij në Milano. “Për mua tani gjëja më e rëndësishme – ka shpjeguar Bekham – është të përqendrohem tek sezoni që po fillon me Galaksin, më pas do marrë një vendim, kam kohë për tu menduar mbi të ardhmen time. Tani për tani nuk kam vendosur asgjë, por tek Milani jam ndjerë shumë mirë dhe kuqezinjtë kanë shfaqur interesimin e tyre të më kenë përsëri në skuadër”. Milani ka nevojë për Bekham po ashtu edhe Bekham ka nevojë për Milanin, nëse dëshiron të luaj në Botërorin e Afrikës së Jugut: “Klubi i Milanit është një ndër klubet më të mëdha të botës. Për sa më takon, ka shumë gjasa që pas kampionatit amerikan të kthehem të luaj në Evropë”. Por mesfushori anglez, e di mirë që duhet të bëj kujdes me deklaratat nëse do të evitoj polemikat me tifozët e Los Anxhelos Galaksi, e për këtë motiv preferon të mos flas mbi të ardhmen e tij.