Festivali i Birrës ngre siparin, nis festa në Korçë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Mbrëmë u çel në Korçë Festivali i Birrës. Nën moton: “Ka Birrë për të tërë?...S’bëhet llaf Milo!”, banorët e Korçës zbriten grupe-grupe në lulishten përballë Parkut “Rinia”. Aty u bënë pjesë e festës së madhe që kulmon sezonin turistik në qytetin e Korçës, organizuar nga Bashkia gjatë muajve të verës. Pas dhjetëra veprimtarive e festave të shumta, ku protagonistë kanë qenë korçarët, por edhe shumë miq të saj nga vendi dhe bota, dje filloi Festa e Birrës. Ajo është festë e hapur dhe në të që mbrëmë ishin të pranishme me shërbimet e tyre për pjesëmarrësit në festë katër kompani që prodhojnë e tregtojnë birrë, katër kompani që prodhojnë e tregtojnë sallamra e meze të tjera dhe një firmë që tregton ëmbëlsira. Këtë vit dekori i festës ishte më i bukur, më i larmishëm, më grishës për të gjitha moshat e atyre që kishin lënë gjithçka e kishin ardhur për të festuar, për të rrëkëllyer krikot e birrës e për të shijuar mezet ëmbëlsirat e shumëllojshme nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare e të huaj. Fëmijët kësaj here kishin këndin e tyre dhe sipas dëshirës gjetën aty lodrat më të preferuara pa shqetësuar prindërit, mbasi për ta kujdeseshin 50 animatorë nga FUSION, një fondacion që kishte marrë përsipër t’u shtijë të vegjëlve gëzimin e tyre mes lodrash të shumta gjatë katër netëve të Festës së Birrës.
Që mbrëmë spikati gëzimi e hareja e mijëra pjesëmarrësve, banorë të qytetit por edhe emigrantë, që kanë mbërritur në Korçë dhe fshatrat rreth saj. Nuk munguan edhe shumë vizitorë vendas e të huaj, që të lajmëruar nga INFO POINT, i kishin rezervuar vetes të drejtën për të qenë pjesëmarrës të kësaj feste që natën e parë të saj.
“Birra Korça”, e prezantuar në sheshin e festës me 10 tenda dhe 20 spina, para të cilave dyndeshin qindra klientë shumë shpejt e afirmoi veten “Mbretëreshë” të festës. Ajo këtë vit mbush 81 vjet kur filloi të prodhohej e tregtohej dhe duke qenë pioniere e birrës shqiptare edhe dje tërhoqi masivisht klientët. Për ta shijuar deri në pikën e fundit “Birra Korçën”, në festë ishin të pranishme edhe mezet e kërnacet me famë të Korçës të prodhuara nga kompanitë e sallamerive “Fix”, “Tona”, “Caca” dhe “Tanka”, të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Korçës. Për pjesëmarrësit në festë u shpërndanë falas suvenire, si mbajtëse çelësash dhe bluza të stampuara me simbole të festës si me imazhin e Milos, të banerit të festës dhe me nënshkrimin: “I love Korça”. Festa u zhvillua rreth një skene të ngritur para Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla”, nën tingujt e muzikës së orkestrinave, këngëtarëve dhe grupeve artistike që ishin ftuar në festë. “Festa e Birrës vetëm në Korçë” ndezi pjesëmarrësit e saj me shijimin e birrave dhe mezeve. Festa u ndez rreth orës 21.00. Korçarët përpiqeshin të largonin vapën e natës së gushtit duke pirë birrë të ftohtë, ndërsa në skenë vazhdonte koncerti me këngëtarët Mateus Froku, Samanta Karavella Band, Burn dhe pas mesnate kolazhi me këngë të Michael Jackson.
“Birra Korça”, historia e një suksesi
“Birra Korça” është e para birrë që ka hyrë në vendin tonë afro 80 vjet më parë. Të vjetrit tregojnë se ajo u ndërtua nga biznesmeni italian Umberto Umberti në vitin 1928. Në vitin 1946 fabrika u shtetëzua dhe u shfrytëzua barbarisht duke mos i bërë investime për gati 50 vjet. Në vitet 1992 ajo u privatizua nga 12 ortakë, pronarë korçarë, ndërsa në vitin 2005 u ble nga IHB Group. “Investimet e kryera rikthyen shijen e birrës së prodhuar nga pronari italian”, shprehen korçarët e vjetër. Mbrëmë, në natën e parë të festës korçarët shijuan birrën e zezë dhe atë bjonde. Sipas menaxherit të marketingut të “Birra Korçës”, Ilir Toçi mësojmë se për organizimin e Festës së Birrës vetë fabrika ka investuar një fond të konsiderueshëm.