E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, spitali e disa lagje prej ditësh pa ujë të pijshëm

 

VLORE - Disa lagje të Vlorës, përfshirë këtu edhe spitalin si dhe zona të tjera turistike, nuk kanë ujë. Shkak janë bërë ndërhyrjet jashtë çdo kriteri në rrjet, jo vetëm nga lavazhet, por edhe nga qytetarë që vadisin, apo lajnë territoret para lokaleve. Spitali i Vlorës prej disa ditësh furnizohet me ujë nga zjarrfikëset. Sipas mjekëve, mungesa e ujit i vë ata në pozita mjaft të vështira në punën e tyre. Të njëjtin fakt pohojnë edhe pacientët, të cilët bëjnë thirrje për përmirësim të situatës. Po me anë të zjarrfikëseve furnizohen edhe mjaft banorë të Vlorës. Ata janë të detyruar të paguajnë jo vetëm ujin, por edhe karburantin e mjetit që zakonisht vihet në funksion në raste zjarresh. Mësohet se lagjet më problematike janë lagjja “Lirim”, “Llonxh”, “Partizani”, si dhe spitali rajonal. Por edhe në mjaft zona të tjera të qytetit, qytetarët po vuajnë në këto ditë të nxehta mungesën e ujit. Kryesisht banorët që jetojnë në katet e sipërme ankohen se në çezmat e tyre nuk vjen asnjë pikë uji. Sipas tyre, rrjeti nuk ka presion për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme, madje edhe në katet e para uji vjen si me pikatore. Megjithëkëtë situatë të krijuar, askush nuk ka marrë masa konkrete për ndërhyrje. Sipas burimeve, kjo problematikë do të zgjidhet një herë e mirë vetëm me projektin e ri të ujësjellësit, i cili është drejt përfundimit.
Një tjetër shqetësim për zonën e Vlorës mbetet edhe kufizimi orar e pa orar i energjisë elektrike. Zona turistike e Radhimës prej orës 19:30 të së mërkurës e deri në orët e paradites së djeshme nuk ka pasur energji. Pushuesit shprehen të lodhur me këtë situatë, e cila kushedi sa herë është përsëritur gjer më tani. Ndërsa pronarët e objekteve të ndryshme shprehen mjaft të indinjuar pasi, sipas tyre, krahasuar me një vit më parë numri i turistëve e pushuesve është më i vogël. Shkak sipas tyre për rënien e numrit të turistëve janë problemet herë me dritat e herë me ujin. Restorantet dhe hotelet e Radhimës u detyruan të vënë në punë gjeneratorët për të qenë sa më afër nevojave të turistëve. Pa energji elektrike ka mbetur edhe zona e Akërrnisë. Mësohet se kjo lagje, si dhe disa pallate në zonën e Kumes, janë prej tre ditësh pa drita. Sipas punonjësve të ndërmarrjes elektrike, shkak për situatën e krijuar është bërë vjedhja e linjës elektrike për rreth 200 metra nga persona të pa identifikuar. E  njëjta situatë është përsëritur edhe pak ditë më parë në zonën e Pyllit të Sodës. Mijëra banorë mbeten për disa ditë pa drita, për shkak se persona të paidentifikuar vodhën kabullin, me qëllim shitjen për skrap.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›