E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Fehmiu, dashuria për nënën e shtëpia që i ndërtoi asaj

PRISHTINE-Qershori i ka bërë bashkë pothuajse gjithnjë. Të tre kanë ditëlindjen këtë muaj, e dallimi në moshë është nga dy vjet. Dy vëllezërit e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, Arsimi dhe Fatmiri, kanë rrëfyer për "Kohën Ditore" në Prishtinë kujtime me të vëllanë e tyre. Në përvjetorin e parë të vdekjes së aktorit të njohur, ata kanë sjellë anën tjetër të rrëfimit, që vëllai i tyre i vogël do ta tregonte në librin e tij "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme", të botuar në shqip nga "Botimet Koha". Në familjen në të cilën vlerë është respekti dhe dashuria dy vëllezërit Fehmiu i japin përparësi njëri-tjetrit. Ndonëse më i ri se ai, Arsimi i jep fjalën Fatmirit, me pretekstin se lajmin për vdekjen e aktorit, i pari e ka marrë ai. Rrëfimi nis spontanisht. "Ndjejmë një zbrazëti shumë të madhe, se jemi rritur në një familje që ka pasur rrjedhat e veta shumë specifike, e lidhur tradicionalisht", - kanë qenë fjalët e para të Fatmirit, nga vendi ku pikërisht çdo qershor, të viteve të kaluara bëhej tok familja e madhe Fehmiu.
Babai
Meritat për çdo gjë, ata ia lënë babait të tyre. "Ka qenë mësues, një ndër themeluesit e arsimit në Kosovë dhe tërë jetën ia ka kushtuar emancipimit të këtij populli", ka thënë Fatmir Fehmiu, profesor universitar i së drejtës kushtetuese. "Kjo traditë ka vazhduar tek trashëgimtarët e tij", - shton ai. I tillë thotë se ka qenë edhe Bekimi, që asnjëherë nuk ka përtuar të japë këshilla sa herë që dikush ia ka kërkuar. "Mungesa e tij është jashtëzakonisht e madhe jo vetëm për familjen, por edhe ambientin ku ai e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë", thotë ai. Të dy miratojnë njëri - tjetrit për vlerat që familja e tyre ka ushqyer gjatë historisë, ndër të cilat zënë vend modestia, solidariteti dhe ajo që quhet dashuri familjare. Fjalitë e të atit, Ibrahimit, "me punë, dije dhe solidaritet ia thyen hundët armikut", do të bëheshin udhërrëfyes për të tetë fëmijët e tij. Edhe Bekimi, thotë Fatmir Fehmiu, ka pasur këtë specifikë. "Diletantizmin, thashethemet, dembelinë nuk i ka pasur në qejf, sepse sikur të gjithë ne ka pasur devizën e babait", thotë ai. "Ka qenë aktor botëror, por kurrë nuk ka rrahur gjoks 'kush jam unë", - ka shtuar Fatmiri, për të vënë në pah edhe modestinë e vëllait të tij.
Familja e aktorit
E internuar nga pushteti, familja Fehmiu do të shtohej me tre djem në Sarajevë. Në qershor të vitit 1939, familja do të shpërngulej në Shkodër, ndërsa në qershorin e dy viteve më vonë në Prizren. Shkollën, Arsimi do ta niste në Sarajevë, Fatmiri në Shkodër e Bekimi në Prizren. Arsim Fehmiu, po ashtu profesor universitar për kulturë fizike, thotë se Prizreni ka pasur pa dyshim ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të aktorit. Mes tij dhe Bekimit ai gjen ngjashmëri. "Ne të dy kemi qenë më të gjallë, e Fatmiri dhe Bashkimi kanë qenë të mirët e shtëpisë", - thotë ai tek vë buzën në gaz. Pas babait, boshti në të cilin familja ka qenë e lidhur ka qenë nëna e tyre, Hadije Xërxa Fehmiu, së cilës Bekimi do t'ia dedikonte edhe librin e tij të parë. "Ai e kishte ndërtuar edhe shtëpinë enkas për të. Kur vinte rrinte aty", - ka thënë Fatmiri. "Ka ndodhur që të shkojë në Hotel Grand, vetëm për të mos i prishur qetësinë nënës. Ai punonte tërë natën", - thotë vëllai e pushon një grimë. Kosova nuk ka ditur të shfrytëzojë kapacitetin intelektual dhe artistik të Bekim Fehmiut. Fatmiri, kujton kur vëllai i tij kishte ardhur në Prishtinë, për të dhënë kontributin me rastin e themelimit të Degës së Aktrimit më 1968.
Nga urimet për ditëlindje, te lajmi tragjik
Motrave e vëllezërve Fehmiu asnjëherë s'u ka bërë vaki t'ia harrojnë ditëlindjet njëri-tjetrit. Arsimi pa menduar fort kujton herën e fundit që kanë uruar ditëlindjet me Bekimin, në qershorin 2010-s. "Ai e ka ditëlindjen më 1 qershor. E pata thirrur dhe i thashë: 'Urime, ishallah 174!" - kujton Arsimi. Bekimi atë ditë kishte pasur një kërkesë të pazakonshme. Donte t'ia uronte atë ditë, ditëlindjen vëllait të tij, edhe pse e kishte dy ditë më vonë. "Nuk bën, i thashë. Po e lëmë të më thërrasësh pasnesër e të më urosh?", - kishte qenë përgjigjja në formë urdhri të butë.
"Më thirri për ditëlindje, si zakonisht. Më tha që do të vijë shpejt në Prishtinë", - thotë Arsimi. Fatmiri me Bekimin dëgjoheshin së paku 2-3 herë në javë. Hera e fundit ka qenë 3 ditë para se aktori i madh shqiptar të merrte vendimin për t'i dhënë fund jetës. "Ka qenë e shtunë. Dhe i thashë kur po vjen, pa diktuar ndonjë gjë që s'është mirë. Tha kësmet. Por vetëm tri ditë më pas bëri vetëvrasje", ka thënë ai, teksa sjell në kujtesë momentin kur marrë lajmin për vdekjen e të vëllait. "Më thirri një komshi i motrës e më tha nëse kisha parë lajmet në 'B92'. Më thirri edhe Milazim Salihu, e më pyeti kur po vjen Bekimi. Të dy e kishin ditur, por nuk ma thanë", - kujton Arsimi. "Më vonë, rreth orës 4:20 pasdite më thirri Branka (bashkëshortja e Bekimit) dhe më tha: 'Bekimi na la", - ka vazhduar Fatmiri rrëfimin, teksa natyrshëm zvogëlon ritmin e bisedës. Lajmin tragjik Fatmiri do t'ia kumtonte edhe Arsimit. "Erdhi familja e tij nga Beogradi, bashkë me urnën të cilën e vendosëm në shtëpinë e nënës, aty ku ka qenë edhe kufoma e saj, e dy motrave dhe e Bashkimit. Na treguan si ka qenë ngjarja. Ceremonia ka qenë e shkruar në amanet, pa kurrfarë publiciteti. Uliksi ka hedhur hirin në Lumbardhë, të shtunën në mëngjes", - kujton Arsimi.
Vizitat e qershorit
Por Fatmiri e ka kthyer kohën edhe një vit më parë, në kujtimet e tij. "Parvjet ishte këtu. Dilte më rrallë për shkak të një gjakderdhjeje që kishte pasur. Mirëpo dukej mirë. Një ditë dolëm për të mbledhur kajsia në anën tjetër të shtëpisë dhe atij i rrëshqiti këmba. I thashë: 'O djalo?!' - Tha: 'Unë jam Tarzan'. Nuk ka pranuar të jetë i sëmurë", thotë ai. Një fotografi e tij, një libër kujtimesh, kafeja me pako të cigareve dhe një gotë ujë të gazuar do të jenë mbi tavolinën që tashmë është bërë "pronë" e aktorit. Aty u bë edhe promovimi i botimit në shqip të librit "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme". Do të shfaqen edhe disa nga filmat ku aktori me nam ka qenë protagonist. Familja, të shtunën që shkoi kanë qenë në Prizren, ku kanë bërë homazhe për Bekim Fehmiun, pikërisht në vendin ku është hedhur hiri i tij.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›