Velipojë, plazhi i zaptuar nga ndërtimet
VELIPOJE
Plazhi i Velipojës, i reklamuar si një ndër plazhet me ujin më të pastër në të gjithë vendin, paraqitet krejt ndryshe për rërën dhe ambientet përreth tij. Edhe pse ka një masterplan, të miratuar me vendim të KRTRSH-së së vitit 2003, ai jo vetëm që fle në sirtar, por po bëhen ndërtime me dhe pa leje në kundërshtim flagrant me të. Pronarë të ndryshëm që kanë objekte në shfrytëzim në këtë plazh akuzojnë direkt kryetarin e komunës, Nikoll Marku, për gjendjen aktuale të zonës turistike. Një ditë pasi kanë mësuar mbi arrestimin e inxhinierit të Urbanistikës në komunë për mitmarrje, Lekë Marku, i cili është dhe nip i kryekomunarit Nikoll Marku, ata hedhin akuza mbi implikimin direkt të tij në "zaptimin" pa kriter të plazhit e vetë territorit të Velipojës. Në masterplan është parashikuar që në një distancë rreth 100 m nga vija bregdetare, në brezin e rërës, të mos ketë asnjë ndërtim. Por, në të vërtetë, edhe pse në fillim të majit u bënë prishje masive të objekteve, ndërtesat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, menjëherë sapo janë larguar fadromat e ndërtimores të ardhura me shumë zhurmë nga Tirana. Në vendin e kioskave-lokale të prishura në brezin e rërës, me shpejtësi janë rindërtuar sërish lokale apo disko siç u pëlqen pronarëve t'i quajnë ato, më të "modernizuara" se të parat, pjesa më e madhe në të njëjtin vend ku kanë qenë të tjera përpara se të prisheshin. Faktet t'i tregojnë vetë pushuesit që kanë zgjedhur Velipojën në këtë sezon. Madje, ata pohojnë duke treguar me gisht se "patjetër që kanë gisht drejtuesit e komunës së Velipojës, të cilët gjatë prishjes së tyre janë kujdesur që bazamenti i këtyre kioskave të qëndrojë ashtu siç ishte, pasi u duhej përsëri". Po sipas pushuesve, si është e mundur që këtyre diskove që zhurmojnë gjer në orët e vona të natës, jo vetëm që u jepet leje nga komuna, por atyre edhe u shtyhet afati kohor i funksionimit, deri në orën 01:00 të mëngjesit. Nga 4 disko që kanë qenë vitin e kaluar sivjet numri i tyre vetëm në një vijë bregdetare rreth 400 metër ka arritur në 12 të tilla. Shezlongjet private të licencuara nga komuna janë një tjetër shqetësim i pushuesve. "Edhe pse Velipoja është plazh publik, si është e mundur, - shprehet Kujtim Asllani nga Gjakova, - që i gjithë bregdeti në qendër të këtij plazhi të mos ketë asnjë vend të lirë për ne pushuesit që të vendosim një çadër tonën drejtpërdrejt pushimoreve tona?! Nëse kanë vendosur që ta japin bregun e detit me koncesion, atëherë të mos abuzojnë me termin publik". Pushuesi kosovar shton se, nuk është kundër plazheve private, por ato duhet të kenë një raport të drejtë në favor të pushuesve, pasi Velipoja është pronë e të gjithëve. Një tjetër çudi që ka ndodhur së fundi është ndërtimi i parkingjeve private në mes të brezit të rërës. Asnjëherë dhe askund nuk është dëgjuar që në mes të sipërfaqes ranore, për të cilën krenohet Velipoja të futen fadromat, në mënyrë që ta përshtatin për parking privat. Ndërkohë që pushuesve u duhet që të përshkojnë "portën që ndan parkingun me bregun e detit për të shkuar deri tek çadrat e tyre. Përballë kësaj situate pritet ndërhyrja e pushtetit qendror për të menaxhuar gjendjen e krijuar në zonën turistike, më të frekuentuar në veriperëndim të vendit. E.Domi
"Shefi i Urbanistikës më kërkoi 2 milionë për lokalin"
Nazmi Kurti, pronar i një lokali në qendër të plazhit, është një nga denoncuesit e Lekë Markut, shefit të Urbanistikës në Velipojë. Ai e akuzon të arrestuarin se i ka kërkuar nëpërmjet personave të tjerë, jo më larg se 6 muaj më parë, t'i paguante një shumë prej 2 milionë lekësh të reja në mënyrë që ta lejonte vazhdimin e aktivitetit në një kioskë-lokal, marrë për shfrytëzimin prej 12 vitesh. Kurti tregon se në dhjetorin e shkuar ka nisur konflikti me drejtuesit e komunës, të cilët kanë bërë çmos që ta detyrojnë për të paguar "gjobën". Fillimisht, ata kanë lejuar që një tjetër godinë të ngrihet brenda territorit të lokalit të tij. "U planifikua të bëhej qendër shëndetësore, ndonëse nuk kishin leje të posaçme për ndërtim. Madje, prenë dhe 12 pemë, vetëm për të krijuar hapësirën. Njoftova Drejtorinë e Pyjeve, Zyrën e Përmbarimit për këto veprime. Por, pas 7 muajsh endjeje dyerve të Prokurorisë e Gjykatës së Shkodrës pa gjetur zgjidhje u detyrova t'u drejtohem institucioneve në Tiranë. Gjatë këtyre muajve arrita të çoj drejtësinë deri në fund duke bërë akuzë direkte ndaj shefit të Urbanistikës, pasi e them pa frikë se ka qenë këmbëngulja e tij që të më bëhet presion për dhënie ryshfeti, ose në të kundërt do të bëhej kjo ndërtesë me forcë duke nxjerrë jashtë loje lokalin tim. Inspektorati i Lartë Ndërtimor Kombëtar, më 8 maj nxori vendimin për prishjen e ndërtesës në territorin që ka në shfrytëzim, i ngritur forcërisht nga komuna Velipojë, në kundërshtim flagrant me të gjitha ligjet e shtetit shqiptar".