Bektashi transferohet në Heidenheim
Shqipon Bektashi nuk është më lojtar i Freiburgut. Futbollisti kosovar të mërkurën i është bashkuar ekipit nga Bundesliga 3, FC Heidenheim. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat gjermane, sipas të cilave 20 vjeçari ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin nga liga e tretë gjermane. Përfaqësuesi kosovar iu bashkua ekipit të ri për të luajtur në vazhdimësi, pasi një gjë e tillë nuk i mundësohej te Freiburgu.
“Shqipon Bektashi ka nënshkruar kontratë me ne deri më 30 qershor 2012. Jemi të nderuar që e kemi përforcuar repartin e sulmit me një tjetër lojtar cilësor”, ka thënë menaxheri i FC Heidenheim, Holger Sanwald.
Sezonin e kaluar, Bektashi ka luajtur në ekipin U23 të Freiburgut. Në 28 ndeshje ai ka shënuar 8 gola. Ai ka luajtur tre minuta edhe në Bundesligën gjermane.
Trajneri Robin Dutt e kishte aktivizuar në ndeshje me Bayern Munchenin (1:1). Në vitin 2008, ai e kishte fituar kampionatin gjerman për juniorë me Freiburgun.