E Shtunë, 31 Tetor 2026

I do krejt trofetë

Berat Sadik beson se HJK Helsinki do ta ketë një sezon të suksesshëm. Sulmuesi kosovar synon që ta fitojë titullin e kampionit, Kupën e Finlandës dhe të arrijë sa më larg në garat evropiane. 24 vjeçari ndihet i privilegjuar që do të luajë përkrah legjendës finlandeze, Jari Litmanen. Nga Express më 19 maj 2011 në ora 12:05

HJK Helsinki e ka nisur mjaft mirë sezonin në kampionatin finlandez. Pas katër xhirosh të zhvilluara, ky ekip zë pozitën e dytë në tabelë me 9 pikë, prej tyre tri fitore e një humbje.

Ky fakt ka bërë që sulmuesi shqiptar i këtij klubi, Berat Sadik të besojë se Helsinki mund të arrijë shumë këtë sezon. “Fillimi i mirë gjithmonë shërben për të mbetur lart në tabelë. Nëse e bëjmë lojën tonë, të tjerët nuk mund të bëjnë asgjë”, thotë 24 vjeçari për ueb faqen hs.fi.

Titulli i kampionit mbetet objektiv kryesor për futbollistin shkupjan. Por, ai beson se Helsinki ka kapacitet të arrijë suksese të tjera këtë sezon. “Unë jam këtu për ta ndihmuar skuadrën t’i arrijë objektivat që ka. Ne e synojmë kampionatin finlandez, Kupën e Finlandës dhe sukses në garat evropiane”, vazhdoi ish futbollisti i Arminia Bielefeld.

Pikërisht kampionati gjerman e ka ndihmuar përfaqësuesin finlandez që të fitojë përvojë. Kur t’ia shtosh kësaj edhe faktin se këtë sezon do të luajë përkrah legjendës finlandeze Jari Litmanen, s’ka dyshim se futbollisti shqiptar do të ketë një kampionat pozitiv.

“E pra, e kam pasur fatin që të punoj së bashku me Jarin në vitet e fundit. Ai i ka dhënë më së shumti impuls karrierës sime. Ia di për nder për regjimin që ma ka bërë në stërvitje dhe në lojë. Është kënaqësi për mua që Helsinki e ka marrë atë në skuadër”, përfundoi Sadik.

Sulmuesi shtatgjatë e kishte nisur karrierën profesioniste në vitin 2004 në ekipin KuPS. Pastaj i ishte bashkuar Lahtit, para se të zbarkonte në Gjermani te Bielefeld. Aty nuk e gjeti si duhet veten dhe u huazua pas dy sezonesh në Zulte Waregem, ndërkaq sezonin e kaluar kaloi te Lahti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›