E Shtunë, 31 Tetor 2026

TRU TË HEKUROSUR

Debatet për mënyrën si e përdorim gjuhën kapen ndonjëherë peng temash dytësore si paskajorja, duke lënë mënjanë çështjen alarmante të varfërimit të ligjërimit shqip, publik dhe privat. Ky varfërim - në leksik, në regjistra të shprehuri, në sintaksë, në aftësi për të këmbyer kod - shkon paralelisht me varfërimin tjetër shpirtëror të shqiptarit, ose në thjeshtëzimin e frymës. Nëse gjymtimi gjuhësor është vetëm pasqyrë, apo edhe një nga shkaqet e këtij thjeshtëzimi, kjo mbetet për t'u shqyrtuar; sikurse mbeten për t'u analizuar marrëdhëniet e kulturës së sotme me autoritetet të cilave ende u beson, ose u druhet shqiptari.
Nuk bëhet dot bisedë intelektualësh në televizion, pa nisur ndonjë prej të ftuarve të shpjegojë, herët a vonë, se "nuk të lë Europa" të bësh kështu ose ashtu. Tjetërkund të thonë se "ashtu e kërkon Amerika", ose "Greqia është xheloze për bregdetin tonë". Të jenë këto metafora të pafajshme ose shkurtore të ligjërimit, apo mishërime të mendësisë paralogjike ose magjike, e cila i rrëfen marrëdhëniet ndërkombëtare si të ishin mite perëndish pagane? Futesh në një tjetër forum, për të dëgjuar ndonjë ligjërues të përmendë se "kur erdhi demokracia…", si të ish fjala për fanepsjen e Cortez-it në Meksikë!
Europa, NATO-ja, Amerika, Banka Botërore, Tranzicioni, Demokracia - kështu fillon lista e perëndive të rreme në Olimpin tonë postkomunist; për të vazhduar pastaj me perëndi të tjera minore e shtëpiake: Drita, KESH-i, Uji, Korrupsioni; ca të mira ca të këqija, ca me ne, ca kundra nesh. Për të parafrazuar shkrimtarin anglez, Chesterton, kush nuk beson në veten, do t'i besojë gjithçkaje tjetër. Ligjërimi publik rëndom ushqen vizionin fatalist, sipas të cilit, historia e të sotmes shkruhet tjetërkund dhe veprimet e individëve, të shquar e të pashquar, diktohen nga hyjnitë përkatëse. Kultura publike tashmë e ka bërë kapërcimin nga shamanizmi totalitar i adhurimit të Kreut ose Yllit të Karvanit, në politeizmin "demokratik", ku zotat konkurrojnë pluralisht me shoku-shokun, për të pushtuar tregun e lirë të vullneteve qytetare.
Ky regres prek, ndonjëherë duke përçudnuar, edhe ç'ka mbetur nga tradita. Tashmë të gjithë e pranojnë se shumë vrasje e krime anembanë Shqipërisë bëhen "për Kanun", duke folur për këtë të fundit, si të ishte idhull pagan që ende sundon skutat e rrëzat e provincës, të fshatit e të malit, për t'u kuturisur ndonjëherë edhe para kamerave urbane e për t'u krekosur në faqet e para të gazetave e në titujt e lajmeve televizive. Dikur institucion rregullues i jetës së përditshme, Kanuni funksionon tani si alibi e shëmtisë etike, ose e krimit për motive të dobëta. Për faj të këtij leximi të çartur të ligjit të maleve, sot e kësaj dite më shumë se 1200 fëmijë rrinë të ngujuar e larg shkollave e shesheve të lojërave, për t'i shpëtuar gjakmarrjes. Edhe pse vrasja e fëmijëve nuk sanksionohet gjëkundi, përveçse në mesazhin mashtrues të një tjetër perëndie të paqenë.
Të jetë kjo pasojë, sado e pjesshme, e pështjellimit gjuhësor ose e humbjes së harmonisë midis emrave, sendeve dhe përdoruesve? Çfarë është Kanuni sot, përveçse pretekst për të përligjur shtysat hakmarrëse, ose fjalë që i është përtharë kuptimi prej kohësh? Përndryshe, kush merr mundimin të shfletojë atë të vërtetin e të vjetrin, nuk mund të mos e vërë re se Kanuni është para së gjithash tekst, madje tekstil gjuhësor. Dikur, ky tekst i përvetësuar mendërisht e i trupëzuar në jetën e përditshme, shërbente për të interpretuar dhe sistemuar realitetin social, ose si kyç deshifrimi etik. E bënte botën të pranueshme duke u vënë akteve emra të përpiktë: mohi, beja mbë gur, zhgarkimi, shpifja, dishmija, hjeksia, beja për derë, sedija, ndorja, ndeshkimi... Kur hap Kanunin sot, habitesh me skrupulozitetin pothuajse leksikografik të emrave e të shpjegimeve; aq sa ndonjëherë të duket sikur po shfleton një fjalor. T'u vësh emra gjërave, është një mënyrë edhe për t'i përvetësuar, për t'i njerëzuar, për t'i qasur në përvojën e grupit. Si ligjërim i ngulitur në kujtesë e i përcjellë brez pas brezi duke u zbatuar, Kanuni shërbente edhe si normë rregulluese e sjelljes dhe komunikimit mes malësorësh, edhe si normë gjuhësore, ose Kod i kuptimeve. Dje, hyjnia e ligjit tradicional u shfaqej shqiptarëve si formë ligjërimore ose logos; sot si shtysë demonike - si të mos shqetësohesh pastaj për degradimin gjuhësor?
Katastrofa e mësipërme të bën të mendosh se, metaforikisht, shqiptarëve të sotëm po u mohohet virtyti - njëkohësisht konceptual dhe gjuhësor - për ta përjetuar racionalisht botën. Thjeshtëzimi i gjuhës krijon premisa për zëvendësim të arsyes me bestytni; meqë çka nis si metaforë ose personifikim, përfundon e përfytyruar si agjenci e vullnetshme. Europa, NATO-ja, Amerika, Demokracia, të cilat gjetiu funksionojnë si tekste ose kode të sjelljes, të politikave dhe të jetës publike, ndër ne janë katandisur në burime autoriteti të verbër, ose përligjje trashamane të absurditetit e të kapriçiove të atyre në pushtet, ose intrigave e interesave vetjake. Kur dëgjon ligjëruesit publikë të thonë se "NATO-ja kërkon këtë apo atë", "Europës i mbeti qejfi me këtë apo atë", "Perëndimi na e ka bërë të qartë se…", të duket sikur këta kanë zhvarrosur një lloj ligjërimi bestyt të errësirës, për ta tejbartur keq e me zor në të sotmen.
Raportet e paganizmit me këtë farë ligjërimi shfajësues i ndriçon edhe pozita e një figure të tillë qendrore si Ismail Kadareja, në kulturën shqiptare. Si shkrimtar, Kadareja na ka blatuar tekste me të cilat lexojmë, madje rilexojmë përvojat e djeshme; por edhe ia rikrijojmë thelbin pothuajse mitik shqiptarizmit në shekuj, shtjelluar brenda universesh të ndryshme perandorake. Publiku ia përcjell fjalën me nderim të pashoq, madje edhe ata që ia kundërshtojnë haptazi; sepse ky shkrimtar është ndoshta i vetmi që i jep shqipes së sotme instrumente deshifrimi të përshtatshme, në trajtë përpunimesh gjuhësore.
Po të tjerët? Sa i pranishëm është, në kulturën shqiptare bashkëkohore, ai lloj ligjërimi gjuhësor-artistik i aftë për të ndërmjetësuar të shkuarën e për t'ia lehtësuar traumat shoqërisë nëpërmjet paraqitjes simbolike? Në një ese të shkruajtur në vitin 1949, kur bota po zbulonte, pak nga pak e dëshmi pas dëshmie, tmerrin e persekutimit të hebrenjve evropianë nga nazizmi dhe shfarosjen e tyre në kampet, filozofi Theodor Adorno u pat shprehur se: "Të shkruash një poemë pas Auschwitz-it është diçka barbare". Fjalët e Adornos më shkojnë ndër mend sa herë dëgjoj, ose përjetoj, ose lexoj për mrrudhjen e përmasës artistike të jetës në Shqipërinë e sotme, deri atje sa edhe publiku vetë të zvjerdhet, e të rriten breza ushqyer me telenovela dhe video të turbullta në YouTube. I lënë pa rrëfyer, totalitarizmi ende ia viziton të tashmen shqiptarit, duke ia mbyllur edhe sytë edhe veshët edhe gojën, e duke ia topitur mendimin.
Kanë vërejtur, për Mesjetën, se krejt komunikimi kulturor asokohe shtjellohej brenda ligjërimit fetar; sot ndoshta duhet pohuar e njëjta gjë për masmediat, të paktën në Shqipëri. Kjo dukuri e bën protagonizmin e politikës veçanërisht të shëmtuar. Një shoqëri që nuk ka pishtarët e vet udhëndriçues, është shoqëri e brutalizuar; e gatshme për t'u egërsuar e për t'u argalisur si lukuni majmunësh. I njëjti arsyetim vlen edhe për fenë; sepse kjo qenka kaq e rëndësishme për funksionimin normal të shoqërisë, sa në mjedise fetarësh edhe ateistët funksionojnë më mirë. Mjaft të vëresh sa i ka shërbyer kundërvënia ndaj katolicizmit prodhimtarisë intelektuale të majtë në Itali, me në krye Umberto Eco-n. Fakti që ligjërimi religjioz i shqipes nuk u lëvrua për dekada të tëra ia ka tharë trungun gjuhës, duke e privuar nga një përmasë e domosdoshme; në një kohë që fetë vetë sot katandisen, për shumëkënd, në shenja të identitetit të grupit si të ishin fanella klubesh futbolli. Kur ngushëllohemi se Evropa po bëhet përditë e më agnostike, harrojmë se agnosticizmi atje, si çdo luks tjetër, shtjellohet duke iu referuar pranisë kapilare të Krishterimit në çdo aspekt të jetës publike; ndërsa për ne shqiptarët kjo nuk ka vlerë, sepse ne i mjaftohemi kryqit që varim në qafë dhe përbuzjes për ata "të fesë tjetër".
Edhe teknologjia masive ka gisht në këtë masakër mendjesh - sikurse provon shqipja e keqtrajtuar e SMS-ve ose e përkthimeve të telenovelave; sintaksa e çalë e reklamave në gazetat ose TV; ose drejtshkrimi i krasitur i teksteve të afishuara në Internet. E mbështetur në modele gjuhësh të tjera, shqipja publike e mediave shpesh i tëhuajëzohet shqipfolësit, duke iu drejtuar nga një pikë e përtejme, jashtë sferës ku riprodhohet gjuha vetë. E keqja këtu nuk është vetëm te varfërimi i shprehjes, por edhe e kryesisht te varfërimi e pakësimi i personit vetë teksa vetëshprehja rrëgjohet e ngec, komunikimi ndërvetiak reduktohet në dominim, në erotizëm e në shkëmbim parash, strukturat narrative shthuren e zëvendësohen me zhargonin vizual të reklamës e të vitrinës.
Shqiptarëve të sotëm po u mungon përnjimend "Kanuni"; jo ai i Lekës, as i Maleve, as demoni polivalent që ua përligj kanibalizmin të dëshpëruarve - por Kanuni, si Kod i përbashkët për të lexuar realitetin e për t'u vënë emrat e duhur sendeve, ose lubrifikant i jetës kombëtare. Në kafenetë mjaftohemi t'i rrëfejmë njëri-tjetrit mite pas mitesh, të cilat tashmë kanë reshtur së qeni vetëm stenografi e mendimit, për të kultivuar bindjen se skenari i roleve tona shkruhet tjetërkund dhe se të gjithë ne, vdekatarët, jemi në mëshirë idhujsh zemërakë, që ia dhurojmë vetes nga dëshpërimi.
Natyrisht, ende e gjejmë forcën të habitemi e të pikëllohemi me valën e krimeve në Shqipëri, por edhe me materializmin e shfrenuar, korrupsionin, krekosjen, grykësinë e makutërinë e njerëzve, VIP-at, mosbesimin ndaj tjetrit, femrën e keqtrajtuar, shpërfilljen ndaj normave etike, regresin në sjellje deri në ringjallje mendësish që i kujtonim të kapërcyera. Bëjmë me faj për këtë krizën morale që ka pllakosur vendin, pakësimin e kapitalit social ose tkurrjen e hapësirës publike, paranë të kthyer në faktor motivimi ekskluziv, ose xhahilët që ia imponojmë publikut si role models.
Nuk e teproj, po të shtoj mes këtyre fajtorëve edhe përçudnimi e shqipes vetë; sepse nuk është shaka që shqiptari të mos i gjejë dot më fjalët për të bërë paqe me veten, e ta projektojë pastaj tërbimin e ndrydhjes ose të memecllëkut mbi të tretët e pafajshëm; pa harruar edhe t'u falet perëndive të rreme që ia ka sajuar vetes. Si atdhe njerëzish të lirë dhe krijues, Shqipëria nuk mëkëmbet dot kurrë pa e marrë veten shqipja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›