E Hënë, 2 Nëntor 2026

Belgët nuk lejojnë largimin e Altin Arapit

07/12/2004  TIRANË -Pas nisjes së procesit gjyqësor për vrasjen e Genci Sinës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar paraqitjen e Altin Arapit në gjyqin ndaj tij. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë dje për gazetën “Metropol” se, prokurorët kanë kërkuar shtyrjen e seancës së parë të gjyqit, pasi Altin Arapi ishte njoftuar për nisjen e procesit, në të cilin akuzohet për vrasjen e Genci Sinës, shofer i Kryeprokurorit Sollaku. Sipas Prokurorisë, kërkesa për pritjen e Altin Arapit në seancën e parë është bërë për arsye proceduriale, pasi i akuzuari nuk ishte njoftuar për gjyqin. Ky njoftim është bërë pas seancës së parë të gjyqit për vrasjen, me anën e një letërporosie të dërguar nga Prokuroria shqiptare në Belgjikë. Nuk ka vonuar shumë përgjigjja e autoriteteve belge, sipas të cilës, Altin Arapit nuk i lejohet dalja nga Belgjika deri në përfundim të disa procedurave, për të cilat belgët nuk kanë dhënë shumë sqarime në përgjigjen e tyre. Prokuroria tha se ka dijeni për adresën e Altin Arapit dhe vendqëndrimin e tij. Në këto kushte, njoftimi i tij për seancën e gjyqit ka qenë i detyrueshëm ligjërisht. Gjyqi kundër Altin Arapit dhe të fejuarës së tij, Imelda Tasho, ka filluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dy javë më parë. Altin Arapi akuzohet nga Prokuroria se ka kryer vrasjen e Genci Sinës, mbrëmjen e datës 29 shtator të vitit të kaluar, në afërsi të Urës së Madhe të Lanës, në krah të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sipas akuzës së Prokurorisë, e pranishme në vendin e vrasjes ka qenë edhe Imelda Tasho, e cila, fillimisht është akuzuar për bashkëpunim në vrasje, por më pas Prokuroria e ka hequr këtë akuzë ndaj saj, për mungesë të provave dhe fakteve. Prej më shumë se 14 muajsh, Imelda Tasho, e arrestuar në zyrën e saj të punës në Ministrinë e Jashtme, pret nga qelitë e paraburgimit nisjen e gjyqit ndaj saj, për akuzat të cilat nuk i ka pranuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›