E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jepet alarmi: Do të ketë përmbytje akoma më të mëdha

07/12/2004  SHKODER - Drejtori i Rrugëve të Shkodrës ka dhënë alarmin, teksa ka bërë të ditur se kanalizimet e qytetit kanë 14 vjet pa u pastruar. Sipas Agron Ramadanit, mësohet se që nga viti 1997 nuk është bërë asnjë investim nga buxheti i shtetit. “Nëse do të ketë shira, përmbytjet do jenë dhe më të mëdha”, thotë për “Metropol”, Agron Ramadani, drejtori i Rrugëve në Shkodër.

Cilat mendoni se kanë qenë shkaqet që Shkodra u përmbyt?

Në radhë të parë kanë qenë reshjet e shumta, të cilat nuk mbaheshin mend që kur kanë rënë në sasi të tillë. Hapja e portave të hidrocentralit bënë të fryhet Drini dhe ky lum pastaj të futet në Bunë. Fryrja e Bunës përmbyti lagjet pranë saj, ndërsa Drini përmbyti edhe komunat nga ai kalonte.

Si paraqitet gjendja e kanalizimeve të qytetit.

Qyteti i Shkodrës ka 92 kilometër kanalizime të ujërave të bardha, 6 kolektorë të mëdhenj shkarkues, nga këto dy funksionojnë normalisht, megjithëse njeri ka probleme teknike. Funksionimi i kolektorëve është mundësuar falë investimit 1 milion lekësh (të reja) që bëri bashkia vetëm pak javë më parë. Po të mos funksiononin dhe këto, Shkodra do të ishte në një gjendje katastrofe natyrore. Dy kolektorë janë me shkarkim të reduktuar dhe dy kolektorë të tjerë nuk funksionojnë, sepse janë të bllokuar, që në vitin 1997, prej të cilit nuk është bërë asnjë investim.

Si do të veproni për ndërtimet që ju kanë bllokuar kolektorët? Bashkia do të ndërhyjë patjetër, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Por nuk janë vetëm ndërtimet mbi kolektorë. Shqetësim janë edhe rrugët e qytetit, të cilat janë amortizuar së bashku edhe me kanalizimet që gjenden poshtë tyre. Duke qenë rruga e pakalueshme dhe kanalizimet bëhen të pafunksionueshëm. Tek unaza e qytetit janë 70 për qind e kanalizimeve dhe e kolektorve të qytetit dhe aty nuk mund të ndërhyhet për riparime, pa patur më parë projekte për unazën e qytetit, fonde të cilat prej vitesh bashkia i kërkon, por nuk i siguron nga qeveria.

Si paraqitet gjendja në lagjet e brendshme të qytetit?

Edhe sikur ato të mos kenë asnjë problem, e kanalizimet të jenë të rregullta, ujëra që derdhen aty do të ecin sa do të ecin dhe do të bllokohen në kolektorët e derdhjes, që janë në daljet e qytetit.

Aktualisht çfarë është duke u bërë nga ana juaj për normalizimin e situatës?

Ne po bëjmë maksimumin, po ndërhyjmë me eskavatorë, me fadroma e me makineri për të pastruar kanalet dhe kolektorët. Të gjitha forcat që kemi në të gjitha pikat më delikate të qytetit i kemi vënë në funksion për të normalizuar situatën. Për të zhbllokuar kolektorët duhen të paktën 15 milionë lekë.

Pritet që sërish të ketë reshje të shumta dhe situata mund të keqësohet. Cila është zgjidhja e propozuar nga ana juaj?

Nëse reshjet e para pak ditëve do të përsëriten dhe do të hapen portat në atë masë, nuk diskutohet që përmbytjet do të jenë katastrofike, dhe më të rrezikshme, sepse reshjet e fundit e kanë amortizuar ndjeshëm sistemin kanalizues të qytetit. E vetmja zgjidhje është që qeveria të japë një fond nga buxheti i shtetit për të financuar, në kushtet kur bashkia dhe Ndërmarrja e Rrugë- Kanalizimeve nuk kanë të tilla fonde për të ndërhyrë.

Ardian Mehmeti

Nënkryetari i Bashkisë: Faji i Harasanit

SHKODER - Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Rudolf Rasha, hodhi poshtë akuzat e drejtorit të KESH, Andis Harasani, sipas të cilit Shkodra u përmbyt për fajin e Bashkisë.

“Situata e pak ditëve më parë nuk është për fajin e bashkisë. Nuk është se Bashkia e Shkodrës nuk ka probleme, pasi janë disa ndërtime pa leje te kolektorët, por kryesorja është hapja e portave të hidrocentralit që përmbyten qytetin dhe zonën e Nënshkodrës. Nëse portat nuk do të ishin hapur në atë masë, Shkodra nuk do të përmbytej. Harasani duhet të jetë realist dhe me këmbë në tokë, pasi nuk është hera e parë që zonat e Shkodrës përmbyten nga hapjet e portave pa paralajmërim dhe pa një masë paraprake në ujëmbledhësit e hidrocentraleve”, bën të ditur Rasha. Më pas, numri dy i Bashkisë së Shkodrës, sqaron edhe masat e marra nga pushteti lokal.

“Sot bashkia do të mbledhë KRT e qytetit për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në ndërtimet pa leje në kolektorët, ndërkohë që janë ngritur tre grupe pune, një për rrugët, një për tokat e përmbytura dhe një për shtëpitë, për të bërë bilancin e përmbytjeve”, shtoi nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës.´

Ndërkohë shifrat më të fundit të marra në orët e mbrëmjes së djeshme shtabi i emergjencës tregojnë për përmasat e mëdha të dëmeve të shkaktuara nga shirat e fundit.

Bashkia Shkodër

450 shtëpi

janë të dëmtuara nga reshjet

160 milion lekë

fondi për zhbllokimin e kolektorëve

Komunat

77 shtëpi

të dëmtuara nga shiu

210 hektarë

tokë e përmbytur në komuna

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›