E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lazarati”, garanci identiteti për anonimatin e RENEA-s

07/12/2004  

TIRANË -Anonimati i efektivave të repartit të forcave speciale RENEA, është i garantuar nëse ata pranojnë të dëshmojnë lidhur me hetimet e filluara për ndërhyrjen e policisë në fshatin Lazarat. Gjatë kësaj ndërhyrje, katër banorë të fshatit mbetën të plagosur, ndërsa makina e policisë u qëllua me armë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë dje se, ky institucion ka kërkuar të marrë në pyetje forcat e RENEA-s lidhur me ngjarjen. Burime zyrtare nga Krimet e Rënda, thanë se në Prokurori ka mbërritur një shkresë zyrtare nga reparti i forcave speciale, sipas të cilit efektivat e tij nuk mund të dëshmojnë, pasi statusi i tyre përcakton që përgjegjësia është kolektive, për çdo aksion. Sipas statusit dhe repartit të RENEA-s, për çdo ndërhyrje të efektivave, përgjegjësia është kolektive për të gjithë pjesëmarrësit në aksion dhe asnjëri prej tyre, jo vetëm që nuk mban përgjegjësi, por edhe i ruhet anonimati. Pas kësaj shkrese të mbërritur në Prokurori, hetuesit kanë garantuar se anonimati i efektivave të RENEA-s garantohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. “Ruajtja e anonimatit të dëshmitarëve është pjesë dhe detyrim i hetimit”, thanë burimet e Prokurorisë. Veç kësaj çështje, e cila bën fjalë për incidentet e ndodhura mes policisë dhe banorëve të Lazaratit gjatë aksionit për kapjen e një të kërkuari, Prokuroria vazhdon hetimet edhe për konfliktin e armatosur mes banorëve të Lazaratit dhe një helikopteri të Interfocës. Kjo ngjarje ndodhi në datën 18 gusht të këtij viti dhe Prokuroria shqiptare pret ekspertizat që po kryhen në Itali, për të vijuar më tej hetimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›