Belgët trajnojnë 24 oficerë të antikrimit ekonomik
Ndihma
Njëzetekatër oficerë të policisë shqiptare janë trajnuar nga ekspertët belgë mbi luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar. Në zbatim të planit të veprimit “Për bashkëpunimin policor” midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, në datat 26-27 janar, në ambientet e Qendrës së Formimit Policor u zhvillua një Seminar Trajnues Intensiv me temë “Lufta Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar”. Në këtë seminar, që u mbështet financiarisht nga programi TAIEX i Komisionit Europian, morën pjesë 24 oficerë të policisë shqiptare që punojnë në strukturat e hetimit të krimit financiar, të cilët shkëmbyen me ekspertët belgë përvojat më të mira të hetimit të krimit financiar në Shqipëri. Gjatë këtij seminari dyditor, ekspertët e policisë belge kanë trajtuar çështje të bashkëpunimit europian dhe ndërkombëtar në fushën e hetimit të krimit financiar dhe shkëmbimit të informacionit policor. Po ashtu, ata paraqitën edhe eksperienca të rasteve konkrete të hetimeve të mashtrimeve financiare, evazionit fiskal, konfiskimit të aseteve kriminale dhe pastrimit të parave. Në përfundim të trajnimit, oficerët e policisë shqiptare u pajisën me certifikata kualifikimi. Njohuritë e përfituara gjatë këtij seminari do të shërbejnë për rritjen e mëtejshme të performancës së këtyre strukturave si dhe do t’i ndihmojnë ata gjatë procesit të punës në zbatim të ligjit të ri “Antimafia”.
#