E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, kriza ekonomike shkrin ndërmarrjet e rrugëve rurale

Institucionet
Shkurtohen mbi 50 vende pune në rrethet Mat dhe Bulqizë

Kriza ekonomike çon në shkrirje e ndërmarrjeve në Rrethin e Bulqizës, duke hedhur në rrugë dhjetëra punonjës. Me një urdhër të Këshillit të Qarkut të Dibrës, mësohet se është urdhëruar shkrirja e ndërmarrjes së rrugëve rurale të këtij rrethi, por edhe ajo e rrugëve rurale në rrethin e Matit. Kështu rrugët rurale në 35 njësi vendore të këtij qarku, do mbeten në varësi të Ndërmarrjes Rajonale të Qarkut të Dibrës, gjë që do të çojë në shkurtimin e administratës dhe punëtorëve të ish-ndërmarrjeve të rrugëve rurale në rrethet Bulqizë dhe Mat. Burime nga këto ndërmarrje bëjnë me dije për “Shqip”, se përveç punonjësve të administratës, shkurtohen edhe dhjetëra punonjës të mirëmbajtjes së rrugëve rurale në këto rrethe. Kështu nga rreth 45 punonjës që ka pasur ndërmarrja e Bulqizës, do të mbeten vetëm 15 punonjës, që do të mirëmbajnë të gjitha akset rurale të këtij rrethi. Ndër vite mirëmbajtja e rrugëve rurale, në rrethet Bulqizë dhe Mat, kanë lënë shumë për të dëshiruar edhe përkundër ekzistencës së ndërmarrjeve për mirëmbajtjen e tyre. Në opinionin e banorëve të zonave rurale, këto ndërmarrje prej vitesh janë konsideruar vetëm si përfituese për rrogat e administratës dhe punonjësve, pasi pak për të mos thënë fare është bërë në mirëmbajtje të këtyre rrugëve. Veçanërisht rrugët rurale në rrethin e Bulqizës, prej shumë vitesh kanë mbetur në mëshirë të fatit, për shkak edhe të papërgjegjshmërisë të administratës së ndërmarrjes së këtyre rrugëve. Por, gjithsesi shkrirja e këtyre ndërmarrjeve pikërisht tani në dimër, kur prezenca e borës dhe akullit, apelojnë për vënien në eficiencë të këtyre ndërmarrjeve, do të thotë bllokim i zonave rurale, ku banojnë mbi 60 për qind të banorëve të këtij qarku.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›