E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet një servis me makina të vjedhura

Operacionet
Policia arreston tre të dyshuar, ndërkohë që kapet edhe i fundit i “Mesnatës”

Një tjetër grup hajdutësh makinash ka përfunduar në prangat e policisë, bashkë me pronarin e një servisi, i cili çmontonte mjetet e vjedhura dhe i shiste me pjesë. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar në Tiranë, ku sipas të dhënave është realizuar nga shërbimet e hetimit të krimit pranë Komisariatit nr. 2. Sipas të dhënave policore, në pranga kanë përfunduar Lulzim Galip Ajazi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për shitje lëndësh narkotike, Erjon Bujar Qelibari, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Adnand Fatmir Berami, 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe moskallëzim krimi. Nga puna hetimore ka rezultuar se dy personat e parë të lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së një automjeti, mjet të cilin më pas e kanë fshehur, tjetërsuar dhe shitur me pjesë në servisin në pronësi të Adnand Beramit, që ndodhet në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Policia tha se gjatë kontrollit në servis u bë sekuestrimi i të gjitha provave dhe sendeve materiale të gjetura. Materialet e përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim. Ndërkaq, vazhdojnë hetimet në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata” për zbardhjen e anëtarëve të tjerë të këtij grupi. Dje, pas një pune intensive nga shërbimet e Komisariatit nr. 3 është arrestuar Durim Morina, 18 vjeç, lindur në Has dhe banues në Kamzë. Sipas grupit të punës, nga hetimet e bëra rezultoi se Durim Morina është bashkëpunëtor në vjedhjen e një lokali në Rrugën e Durrësit. Nga të dhënat policore, Morina është një person me precedentë penale, pasi disa herë ai është akuzuar për vjedhje me dhunë. Sipas dosjes penale, në bashkëpunim me Erjon Fejzullarin, Valter Vladin, Simon Thanasin dhe Ilir Shehun, të arrestuar më datë 22 janar 2010, ai dyshohet të ketë vjedhur lokalin “Eurolloto”, i ndodhur në Rrugën e Durrësit, pranë gjimnazit “Qemal Stafa”. Të gjithë këta persona akuzohen për veprën penale të vjedhjes, ndërkohë që të gjitha materialet hetimore i kanë kaluar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të vjedhjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›