E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten me pistoletë lodër, paratë e dritave

Autorët kanë hyrë pa maska, te një pikë e OSSH, te “Brryli” dhe kanë marrë 300 mijë lekë
Rikthehen grabitjet në mes të ditës në kryeqytet. Dy persona të armatosur me pistoletë kanë grabitur dje në mesditë arkën e OSSH-së në rrugën “Bardhyl” në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, mësohet se shuma që kanë marrë dy grabitësit në filialin ku paguhen faturat e energjisë elektrike është 300 mijë lekë të reja. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe për të marrë dëshmitë e dy arkëtarëve që ndodheshin në momentin e grabitjes së arkës.
Ngjarja
Burimet nga Policia e Tiranës bënë të ditur se dje, rreth orës 14:30, janë njoftuar se një pikë OSSH-je, në të cilën bëhej pagesa e faturave, është grabitur nga persona të armatosur. Policia është vënë në dijeni se grabitja ka ndodhur në rrugën “Bardhyl”, sapo kalon “Brrylin”, përballë një lokali të njohur, 200 metra larg Komisariatit nr. 1. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 1, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë kontakt me dy arkëtaret e grabitura. Ato kanë deklaruar për policinë se brenda kishin hyrë dy persona me pistoletë, ndërkohë që një i tretë i priste jashtë. Më tej, ato i kanë shpjeguar policisë se nuk mbanin maska, duke u dhënë edhe përshkrimin e tyre. Shërbimet e policisë, të cilat janë forcuar edhe nga ato të Komisariatit nr. 4 si dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, kanë rrethuar gjithë zonën, duke shoqëruar disa të dyshuar. Nga të dhënat e grupit hetimor mësohet se të rinjtë kishin pritur momentin që në filialin e postës, që përdorej nga OSSH-ja nuk kishte persona të jashtëm, që paguanin faturat e energjisë elektrike. Në ato momente kanë ndërhyrë, duke kryer grabitjen. Më pas, dyshohet se ata janë larguar me një motor, ndërsa një tjetër në këmbë. Madje, policia ka dyshime të forta se grabitja është realizuar me një pistoletë lodër. Nga ana tjetër, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje dy arkëtaret që u grabitën. Ato kanë treguar për oficerin e policisë gjyqësore, përshkrimin e tyre, me aq sa mbanin mend, ndërkohë që më vonë, kanë kryer edhe përllogaritjet për dëmin e shkaktuar. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të rinjtë kanë marrë rreth 300 mijë lekë, aktualisht gjithë paratë e mbledhura gjatë ditës së djeshme.
Hetimet
Gjithashtu, nga hetimet e Policisë së Tiranës mësohet se arka në të cilën janë grabitur paratë nuk ka asnjë element sigurie, madje në të nuk ndodhej asnjë kasafortë, ku mund të qëndronin paratë e mbledhura nga pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe për grabitësit nuk ka qenë e vështirë ta grabisin arkën. Rasti i rëndë është analizuar dje pasdite në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është deklaruar se dokumentimi i kësaj ngjarjeje do të realizohet shumë shpejt. Gjithashtu, nga informacionet e mbledhura në rrugë operative dyshohet se autorët e saj janë përdorues droge dhe persona me precedentë penalë. Edhe vitin që shkoi ka pasur disa raste, ku grabiteshin pikat e mbledhjes së parave të faturave të energjisë elektrike, por prej pak muajsh, ky fenomen ishte zhdukur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›