E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi Blushi, takime me Pack dhe Rouchek

Bruksel

Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS zhvilluan dje takime me eurodeputetët e djathtë dhe ata të majtë. Një bisedë e veçantë ishte rezervuar mes tyre dhe zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian Libor Rouchek dhe Doris Pack, të cilët kanë deklaruar se Partia Socialiste duhet të kthehet në Kuvend. “Do të dëshiroj që vendimi të merret nga e gjithë partia, para mbarimit të afatit, që do të thotë përpara marsit. Uroj që sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar, kjo do të thotë që forcat kryesore politike të bien dakord për një strategji të përbashkët dhe që të gjitha të punojnë bashkë për të mirën e popullit shqiptar, të përqendrohen te prioritetet duke përmbushur kushtet e caktuara. Kjo do të thotë edhe funksionim i demokracisë parlamentare”, tha Rouchek. Doris Pack u shpreh se deputetët e LMN-së, të cilët kanë deklaruar se do të hyjnë në Kuvend, nuk janë kundër partisë, por po ndjekin rregullat. “Ata kanë vendosur të hyjnë. është e vështirë në fakt të jesh në kundërshtim me vendimet e forcës së cilës i përkasin, është vështirë që të ndërmarrësh këtë hap. Ata nuk po veprojnë kundër PS-së, por po ndjekin rregullat dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë anëtarët e PS-së”, tha Pack. Deputetët Blushi dhe Harasani kanë pretenduar se në të gjitha takimet që kanë zhvilluar në Bruksel kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, për të thyer bojkotin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›