Belgjika do të hapë zyrë konsullore në Shqipëri
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, priti ditën e djeshme në Tiranë homologun e tij të Belgjikës, Karel de Gucht. Gjatë konferencës për shtyp, ministri Basha vlerësoi marrëdhëniet mes dy palëve si dhe përshëndeti vendimin e qeverisë së Belgjikës për të hapur një zyrë konsullore në Shqipëri. “Gjej rastin të përshëndes iniciativën e palës belge për të komunikuar edhe sot nga ministri De Gucht për hapjen e një zyre konsullore në vendin tonë si dhe uljen e tarifave për vizat për qytetarët shqiptarë duke e konsideruar këtë si një hap shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Gjithashtu u premtua nga ministri De Gucht lehtësimi i vizave për studentët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të studiojnë në Mbretërinë e Belgjikës. Gjatë bisedimeve u diskutua edhe mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje midis dy vendeve për sigurimet shoqërore, marrëveshje e cila shkon direkt në ndihmë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Belgjikë dhe u jep atyre në këtë fushë të njëjtin status me qytetarët e Mbretërisë së Belgjikës”, - tha Basha.
Biberaj merr mbështetjen e Suedisë për integrimin e Shqipërisë në BE
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëkohësisht zëvendëspresident i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane në KE, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, mori ditën e djeshme mbështetjen e Suedisë për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Biberaj, i cili ndodhet në Suedi për një vizitë zyrtare dyditore, pati sot një takim me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, zotin Per Westberg. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për rritjen e bashkëpunimit multilateral ndërmjet parlamenteve të vendeve anëtare të KE-së me Asamblenë Parlamentare të KE-së, si dhe rritjen e bashkëpunimit bilateral ndërmjet vetë parlamenteve të vendeve anëtare të KE-së. Ndërkohë, rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve tona zuri një vend i veçantë në bisedë.
16 Maj 2008