Reagimi i Palokës: ”Balla ka qenë këshilltar i kryeministrit më të korruptuar”
Denoncimi i deputeti socialist në Kuvend, Taulant Balla, nuk është përcjellë lehtë nga deputetët e maxhorancës. Akuzave të rënda për korrupsionin në vend i është përgjigjur deputeti demokrat Edi Paloka, i cili tha se vullneti i qeverisë “Berisha” është më i fortë se i çdo qeverie tjetër. Paloka shtoi se deputeti Balla ka qenë këshilltar i kryeministri Nano, i cili ishte kryeministri më i korruptuar. “Dëgjuam pak më parë një koleg që foli për korrupsionin, që ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Nano në kohën kur ajo qeveri, jo si kjo e jona që e rendit z. Balla ku t’i dojë qejfi, një herë të tretën, një herë të 15-tën për korrupsion, por ka qenë këshilltar i kryeministrit Nano për tetë vjet rresht, kur kjo qeveri e zotit Nano ishte e para për korrupsion. Ne përpiqemi që ta luftojmë korrupsionin, ne kemi një ministër sot pa imunitet. Kemi një ministër që ka shprehur qartë vullneti se është i gatshëm të dalë para drejtësisë. Ndërsa në kohën tuaj të vetmit që u hiqej imuniteti ishte kryetari i opozitës dhe deputetët e opozitës”, - tha Paloka.
16 Maj 2008